20 shtator 2013- Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu zhvilloi një takim paraditen e sotme me kryetarin e Kuvendit z Ilir Meta. Pas takimit në një konferencë të përbashkët ambasadori Arvizu ka deklaruar se ndërkombëtar janë duke ndjekur me kujdes parlamentin dhe funksionimin normal të tij.
“E falenderoj zotin Meta për referimin që i bëri editorialit i cili pasqyron opinionin e Washingtonit dhe Brukselit dhe shpresën që kemi ne në Shqipëri. E kam shprehur një nga matjet më të mira të normalitetit të Shqipëri është përparimi që duhet të bëjë ajo për një jetë normale. Që gjërat të funksionojnë ashtu siç duhet dhe është e drejtë që gjithë Shqipëria dhe bashkësia ndërkombombëtare është duke parë drejt parlamentit që ai të funksionojë në mënyrë normale. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë debate të zjarrta por është e rëndësishme që këto debate të jenë konstruktive që të çojnë përpara ecjen e vendit” tha Ambasadori.
Nga ana e tij Ilir Meta deklaroi për një bashkëpunim të mëtejshëm mes Parlamentit shqiptar, ambasadës amerikane dhe për të rritur më tej kontributin e Kuvendit dhe forcimin e marrëdhënies së dy vendeve.
"E sigurova ambasadorin për vullnetin maksimal nga ana ime si Kryetar i Kuvendit dhe e maxhorancës parlamentare për të garantuar maksimumin e hapësirës demokratike për opozitën për të vendosur një bashkëpunim afatgjatë në interes të forcimit të parlamentarizmit të vendit dhe përshpejtimit të reformave që kërkon integrimi evropian", u shpreh Meta. Kreu i Kuvendit shprehu besimin që PD do të kontribuojë për të pasuruar më tej kontributet në proceset integruese, duke qenë konstruktive dhe bashkëpunuese.





