20 shtator 2013- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaroi në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, se opozita do të çojë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë për heqjen e portretrit të Presidentit të Republikës nga ceremoniali zyrtar.Ai tha se ky vendim i qeverisë Rama është antikushtetues dhe i motivuar nga urrejtja politike.Basha foli edhe për largimin e opozitës nga salla e Kuvendit, duke akuzuar Kryeministrin Rama se iu shmang llogaridhënies në parlament dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte të provokonte opozitën me gjuhën e urrejtes dhe përçarjes.Basha tha se reagimi i opozitës ishte civil dhe proporcional, në kushtet kur nuk kishte alternativë tjetër për mbrojtjen e parimeve të demokracisë.Kreu demokrat garantoi se opozita do të ofrojë bashkëpunimin e saj për të gjitha reformat që janë në interes të shqiptarëve dhe integrimit të vendit.Basha tha po ashtu se ndryshe nga paraardhësi i tij në bashkinë e Tiranës, nuk do ta vendosë këtë institucion në funksion të axhendës së Partisë Demokratike dhe se nuk do ta përdorë pushtetin lokal për ta përplasur me institucionet e shtetit.Kryetari i Partisë Demokratike foli edhe për zgjedhjet e pritshme në strukturat e degëve dhe procesin e analizës për rezultatet e 23 qershorit.Ai tha se çdo anëtar i thjeshtë i kësaj force politike dhe figurat me kontribut në të do të vlerësohen në bazë të meritës, ndërsa u shpreh se statuti i Partisë Demokratike nuk ka pse të jetë i mbyllur për ndryshime.debatet në parti, rolin e Berishës pas dorëheqjes, hapjen e PD-së drejt partive të tjera të qendrës së djathtë, përballjen në mazhorancën e re dhe strategjinë e opozitës për t’u rikthyer në pushtet.

Intervista e plote:

Z. Basha, për herë të parë në mbledhje grupi të PD-së ka pasur një diskutim, siç ka ndodhur në mbledhjen e sotme, por nga çfarë filozofie janë ndarë krerët e komisioneve parlamentare? 

Kanë harruar filozofinë nga cila është themeluar PD-ja, frymëzimi për lirinë. Ka qenë liria, ajo që e ka mbrojtur PD-në dhe bazuar në liri kemi triumfuar. Momenti në mbledhjen e grupit ka qenë fare normal dhe do të ketë dhe në mbledhjet e tjera. Ndarja e krerëve të grupeve është bërë mbi bazën e përvojës së marrë ose pjesëmarrjes në komisione, në parlament, sigurisht dhe përvoja e individëve që vijnë për herë të parë në grupin e PD-së, por edhe për rolin në administratës dhe shoqërinë civile. Ndaj, bazuar në këto është bërë ndarja e drejtuesve të krerëve në komisionet parlamentare. 

A e keni kuptuar që keni humbur zgjedhjet? 

Sigurisht që po. 

E dini pse i keni humbur zgjedhjet? 

Po. Kam qenë i përfshirë në garë, ku analiza ishte e nevojshme pas një qeverisjeje 8-vjeçare. Iu thamë shqiptarëve se vendi është ruajtur nga recesioni, nga stanjacioni. Falë doktrinës sonë të taksave të ulëta e ruajtëm nga recesioni. Shqiptarët ende nuk e dinë se ç’është recesioni. Platformë tjetër ishte me një sërë premtimesh me karakter populist dhe mashtrues për votuesit. Por ata votuan heqjen e TVSH për shportën, energjinë, shëndetësinë falas. Ne i gjykojmë të rrezikshme dhe të pambajtshme. Ne morëm një rezultat që do të fillojë paralel me procesin e zgjedhjeve partiake në javët në vijim. PD e pranon rezultatin, por ka nisur që dje punën për të reflektuar mbi të dhe të kemi një rifillim të ri. Detyra e opozitës është e trefishtë. Në rend të ditës të nxjerrë axhendën diabolike të vitit zero. T’u themi se ç’lamë në 2013. T’u bëjmë të qartë se vendin e kemi lënë më rrugë të shtruara, me rritje të rrogave, me kualifikim, pa viza, shkolla, spitale, por ka edhe mosarritje që kanë mbetur punë pa bërë. Është Shqipëria jo e vitit zero. 

Si i keni marrëdhëniet me Ilir Metën? 

E kam uruar për detyrën e kryetarit, më ka uruar për detyrën e kryetarit. 

Z.Basha, a kontaktuat me grupin për vendimin e bllokimit të seancës? 

Vendimi i grupit erdhi pas atij reagimi. Ishte vendim i grupit me mbështetjen time të plotë. Vendimi erdhi pas asaj gjuhe. Mbështeta largimin nga salla. Opozita ka për detyrë të qëndrojë fort duke e bërë qeverinë të jetë llogaridhënëse. Nëse mazhoranca shmang dhe provokon opozitën dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, opozita duhet të qëndrojë fort për të mos lejuar zhbërjen e një standarti. 

Është ironike ajo për të cilën ju jeni tallur me z.Rama, se nuk drejtonte PS ngaqë ishte dhe kryetar i PS-së. Do t’i kërkoni falje z.Rama? 

Është e pasaktë. Kur z.Rama mori drejtimin e PS, iu shmang përgjegjësive në bashki. Nuk do të më shikoni që të çoj thesin e plehrave përpara Kryeministrisë, por të përmbush detyrimet e mia para qytetarëve të Tiranës. Nuk do të përdor Bashkinë e Tiranë në funksion të PD-së. 

Ju po nënkuptoni se nuk do të kandidoni sërish për kryetar të bashkisë? Nuk do të më ftoni më deri atëherë? Cili do të jetë roli i Sali Berishës, sa autonom do të jeni ju? 

Ka dy çështje: e para ka të bëjë me rolin tim si kryetar i PD-së, i zgjedhur nga anëtarësia e PD-së. Është një nder që jam betuar, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, historike të drejtosh një forcë si PD. Dhe është vendosmëria, besim mi për ta udhëhequr këtë parti drejt vizioneve të reja. 

Kjo parti ka fatin të ketë aktiv në gjirin e saj kryetarin historik, ashtu si dhe të tjerë kryetar, themelues, që kanë dhënë për PD-në. Respekti për ta si për çdo anëtar të PD-së i shkojnë filozofisë sime dhe ky është frymëzimi, ngjallja për të marrë filozofi. Sa i përket rolit të z.Berisha në PD, askush s’e vinte në dyshim që po të kandidonte z.Berisha, do të fitonte bindshëm. Atëherë kemi një zgjedhje të z.Berisha që ka të bëjë me orbitën e tij si mjek, intelektual, si lider, si president, si kryeministër, vendimmarrja e tij i shkon kësaj orbite. 

A i ishit ju i pëlqyeri i Berishës? 

Absolutisht jo. U përcaktuan disa rregulla, që drejtuesit të mos përfshiheshin në garë dhe z.Berisha nuk u përfshi, por garantoi një proces të drejtë dhe demokratik. 

Berisha ua kërkoi kandidimin? 

Sigurisht që kërkova vetë që të kandidoja. Ishte një moment i veçantë për PD-së: rezultati i 23 qershorit, dorëheqja e liderit historik, një moment emocional. Ka qenë ky moment që çdo demokrat duhej të analizonte situatën. Sfida ime ishte të kandidoja apo jo. Nuk ishte momenti që mos të kandidoja, në përputhje me ato që kam bërë në këto vite dhe u përballa me këtë sfidë. 

Cila ishte biseda që bëtë me z.Berisha? 

Ishte biseda normale. E njoftova për vendimin tim. 

A kishte manipulime në PD për t’ju favorizuar ju? 

Absolutisht jo, gara ishte e drejtë dhe ndershme. Gjithçka ka qënë transparente dhe në dritën e diellit. Ka qenë një moment historik për PD-në dhe demokracinë në Shqipëri, 

A ka një çarje të PD-së pas zgjedhjes suaj në krye të saj? 

Në garë dhe në momente të tilla, secili ka ambiciet e veta. Ka qenë një garë normale dhe s’ka pse të ketë çarje brenda PD-së. 

Kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja në PD, a do të ketë fytyra të reja në PD? 

Procesi i analizës dhe zgjedhjeve do të nisë javën e ardhme. Do të nisë me bashkëbisedim dhe procesi ynë nuk do të jetë për koka turku dhe t’u shmangen përgjegjësive. Që ky ‘prives’ të jetë i mirëfilltë dhe do të jetë i tillë, ne do të angazhohemi në një bashkëbisedim me demokratët në mbarë vendin dhe do të dëgjojmë zërin e tyre. Do të jetë një proces transparent për kontributet e demokratëve nga themelimi, por edhe të më të rinjve dhe marrjen e përgjegjësive. 

Do të ketë rifreskim të PD-së? 

Qytetarët shqiptarë do të shprehen në mënyrë të hapur dhe demokratike për zgjedhjen e njerëzve dhe platformën evropiane dhe suksesi për PD-në. 

Po me FRD-në e Topit? 

FRD ka bërë çdo përpjekje për maksimalizimin e votave dhe partia që ju përmendi është ftuar, por zgjodhi të garonte e vetme. Megjithatë, PD mbetet e hapur ndaj çdo partie të qendrës dhe qendrës së djathtë, pavarësisht emrit, por qëndrimeve që do të mbajë. 

Votimi për Ilir Metën në krye të Kuvendit tregoi se kishte rrjedhje votash nga PD-ja… 

Mori 98 vota Edmond Spaho. Mos më kërkoni sot të bëj hetuesin. 

Koalicioni me LSI-në ndodhi në rrethane të veçanta dhe i shërbeu PD-së në funksion të interesit të qytetarëve, siç ishte liberalizimi i vizave. PD është e vendosur, e gatshme dha ka të gjitha potencialet që të udhëheqë të djathtën drejt një fitoreje. 
Si e konsideroni heqjen e portretit të presidentit Bujar Nishani nga kryeministri Rama?
 

Ka qenë i motivuar nga urrejtja politike. PD-ja do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë “Rama”.