TIRANE- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kërkuar atashimin e ekspertëve amerikanë pranë dikasterit që ai drejton. Lajmi u bë i ditur nga vetë ministri Bushati, pas takimit me kreun e prezencës së SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu në Ministrinë e Jashtme.
“Në kuadër të konsultimeve që qeveria e re ka vendosur ti ketë në mënyrë të strukturuar me SHBA dhe BE i kam kërkuar ambasadorit nevojën për ekspertize amerikane për tu atashuar apo bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme për të projektuar një ndikim më të mirë të Shqipërisë në rajon, ku ka pasur zhvillime politike si marrëveshja Kosovë-Serbi anëtarësimi i Kroacisë në BE, dhe kalimi i projektit të gazsjellësit TAP”, theksoi Bushati.
“Ndava me ministrin faktin se SHBA kanë qenë të kënaqur nga iniciativat aktive që janë ushtruar nga ministri dhe kryeministri ndaj partnerëve të tjerë dhe miqve, si Italia, Franca dhe Greqia, e gjithë kjo është pjesë e Evropës së bashkuar. Dëshiroj të them se u ndjemë të nderuar që morëm kërkesën nga ana e ministrit për zhvillimet strategjike. Shqipëria është histori e lajmit të mirë dhe ka histori të shkëlqyer për ta ndarë me të tjerët dhe me të vërtetë ndihemi mirë që të ndihmojmë të përhapim këtë lajm të mirë. Presim me kënaqësi partneritetin aktiv, urime zotit ministër dhe stafit të tij”,- tha Arvizu.
Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit konfirmuan se patën shkëmbim pikëpamjesh mbi bashkëpunimin e dyanshëm dhe shumëpalësh.
SEQUI TAKON BUSHATIN: STATUSI KANDIDAT ËSHTË I ARRITSHËM. TA KTHEJMË MURIN NË URË
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi shpreh besimin se statusi i vendit kandidat është i arritshëm dhe i mundshëm brenda këtij viti.
Në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ambasadori Sequi theksoi se “rruga drejt BE-së është po ashtu rruga drejt gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë faktorëve në vend, për ta kthyer murin në urë.”
“Fjalët e presidentit Barroso ishin tepër të qarta. Eshtë vërtet fakt që kjo arritje historike është e mundshme dhe e arritshme. Eshtë angazhimi dhe përkushtimi i të gjithëve që kjo të bëhet e vërtetë”- deklaroi ambasadori.
Duke e cilësuar si një sukses të madh vizitën e parë të kryeministrit Rama në Bruksel, ambasadori Sequi theksoi se delegacioni shqiptar u dha mundësi institucioneve të BE-së që të mësonin për programin dhe për përkushtimin e qeverisë së re për integrimin e Shqipërisë në BE”.
Ndër të tjera, ambasadori Sequi i shprehu mbështetjen ministrit të ri Ditmir Bushati.
“Roli i ministrit të jashtëm është një rol tepër kyç dhe thelbësor në çdo vend europian dhe ne jemi tërësisht të angazhuar që të japim mbështetjen tonë që ky rol të jetë i suksesshëm.”- vijoi ai.
BUSHATI: INTEGRIMI, PRIORITET KYÇ. DO PLOTËSOJMË STANDARDET DHE KRITERET E MBETURA
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë së re për plotësimin e standardeve dhe kritereve të mbetura, në bashkëpunim me opozitën, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
“Për qeverinë në të cilën unë shërbej çështja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim përbën një ndër prioritetet kryesore. Rikonfirmova se ne do të vazhdojmë mbi arritjet e ndërtuara nga qeveria e shkuar për të shkuar drejt plotësimit të standardeve dhe kritereve të mbetura, duke treguar sensin gjithëpërfshirës me opozitën”- deklaroi Bushati.
Ndërkohë ministri i Jashtëm bëri të ditur se e informoi ambasadorin Sequi “në lidhje me prioritetet kryesore të politikës së jashtme dhe qëndrimin e rakorduar që Shqipëria do të vazhdojë të ketë me SHBA dhe BE”.
/balkanweb/





