DURRËS, 19 shtator 2013 – E ndodhur mes Tiranës dhe Durrësit, Xhafzotaj është shndërruar në një qendër të fuqishme biznesi dhe mund të matet me qytete të mëdha, kjo është arsyeja pse bashkia e kryeqytetit shqiptar dhe kompania publike e autoritetit portual prokurojnë fonde për shërbime të ndryshme. Mësohet nga burime zyrtare se Drejtoria e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në bashkinë e Tiranës ka nënshkruar më 30 gusht 2013 një kontratë me firmën Mektrin Motors shpk në Xhafzotaj të Durrësit për blerje automjeti. Duhet vënë në dukje edhe fakti se çuditërisht dy firma ndërtimi po nga Xhafzotaj ofrojnë shërbim tejet të lirë, deri në afër 48 për qind të fondit limit publik për punime rrugore në portin e Durrësit. Më 9 shtator 2013 drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës (APD) sha ka shpallur fitues të tenderit të zhvilluar më 24 qershor 2014 “ndërtimi i rrugës për te kalata lindore” bashkimin e operatorëve AL-Asfalt shpk dhe Hastoçi shpk në Xhafzotaj. Në tenderin me fond limit 90 684 372 lekë kanë marrë pjesë tetë firma ndërtimi, prej të cilave pesë nuk janë kualifikuar për arsye të ndryshme. Bie në sy që firma fituese ka paraqitur një ofertë prej 43 502 441 lekë, që është rreth 48 për qind e fondit limit. Kurse një nga pesë shoqëritë e shkualifikuara, si Salillari shpk, firmë e njohur dhe që ka fituar tenderë në port, ka paraqitur një ofertë me vlerë 83 140 610 lekë, ose 39 638 169 lekë më shumë se fituesi. Sipas APD-së, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga Salillari shpk del se nuk ka paraqitur certifikatat ISO për prodhim asfalti dhe betoni.

Info /Zonë e re industriale

Dikur ka qenë kooperativë për bujqësi dhe blegtori, por vitet e fundit aty është vendosur më shumë industria e shumëllojshme. ga një zonë dikur tërësisht bujqësore, komuna e Xhafzotaj është shndërruar vetvetiu në një zonë plotësisht industriale. Aty janë vendosur kompani shqiptare, italiane dhe gjermane për prodhim këpucësh, veshjesh dhe vezësh, kompani transporti, si edhe firma në përpunimin e kromit, e hekurit, përpunimin e drurit, të cilat shumicën e punëtorëve i ka nga zona përreth, të cilat kanë investuar rreth 100 milionë dollarë. Komuna është rrethuar nga autostrada dhe rrugë që kryqëzohen nga të gjithë drejtimet e vendit. Kjo infrastrukturë bën që të ndërtohen vazhdimisht biznese të reja. Në këtë zonë nuk mungojnë kurrë energjia elektrike, uji i pijshëm dhe ekziston një sistem rrugor modern. Zona industriale është krijuar me nismën e vetë bizneseve, por ato kanë gjetur mbështetjen dhe lehtësira maksimale nga komuna, me sheshe dhe leje ndërtimi. Komuna ka një sipërfaqe 2 mijë 400 hektarësh prej 18 mijë banorë në 8 fshatra. Me taksat që paguajnë bizneset, ndërtohen rrugët, pastrimi dhe në tërësi jeta e komunës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/