DURRËS, 12 shtator 2013 – 60-vjeçari Isuf Gjilani është orvatur t’i japë fund jetës, pasi pallatit ku ai jeton, i ka dalë për zot pronari, Ali Kosova, vjehrri i presidentit Bujar Nishani, njofton e përditshmja Shekulli. Ndërkohë, mediet afër PD-së, në raportimin e lajmit, nuk e përmendin faktin se bëhej fjalë për një vendim përmbarimi në favor të familjes presidenciale.

Ngjarja

Gjilani ka thënë se do të hidhet nga kati i katërt ose do të vetëdigjet nëse policia ndërhyn për të liruar shtëpinë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “valuta” në Durrës, ndërsa i moshuari shfaqet në dritare me një shishe benzinë. Isuf Gjilani thotë se nuk do të lirojë banesën pa pasur një shtëpi ku të shkojë. Madje ai akuzon dhe vjehrrin e presidentit Nishani se po shfrytëzon influencën e dhëndrit të tij për të marrë shtëpinë, e cila nuk i takon. “Nuk dal në rrugë, pa më gjetur një banesë ku të shkoj. Zonja që pretendon se e ka pronën e vet, ka shtëpinë dy dhomë e një kuzhinë që i ka dhënë shteti në Tiranë. Të më japë mua atë shtëpi e iki unë. Ai do të marrë shtëpinë sepse ka prapa dhëndrin e tij, Nishanin, jo se i takon. Kjo ka qenë e italianëve”,- thotë Gjilani. Policia është përpjekur të negociojë për të ndaluar 60-vjeçarin, i cili jetonte me gruan, një fëmijë dhe vëllanë e tij të sëmurë. Gjilani nuk pranoi të negociojë as me forcat RENEA-s, të cilat ndodheshin në vendngjarje, duke iu përgjigjur me tulla thirrjeve të tyre. 60-vjeçari ka arritur edhe të ndezë një zjarr përreth, por forcat zjarrfikëse arritën ta shuajnë, dhe të largojnë banorët që ndodhen në pallat. Ndërkohë forcat speciale nga Tirana kanë ndërhyrë për neutralizimin e tij. Përmbarimi është tërhequr përkohësisht. Nga ana tjetër, në sajtin stoprrenimit.com është botuar një foto për ndërtim pa leje nga ana e vjehrrit të Nishanit.

Shënim: fotot janë të Shekulli-t

 

/përg. th. m. për agjencinë e lajmeve "Dyrrah"/