DURRËS, 11 shtator 2013 – Edhe pse terminali lindor u është dhënë me koncesion privatëve gjermanë, që kanë marrë përsipër me kontratë investime infrastrukturore, Autoriti Portual Durrës (APD), sha (kompani shtetërore / publike) vazhdon të "hedhë" para këtu. Sikurse njofton APD sha, më 29 gusht 2013 është nënshkruar kontratë me firmën durrsake EDER D shpk për punime shtesë për rrethimin e terminalit lindor. Dhe kjo kontratë është realizuar me procedurë negocimi pa botim paraprak të njoftimit. Gjatë qershor-gushtit, po sipas APD-së, në hapësirën juglindore të portit kanë vazhduar punimet për realizimin e dy projekteve infrastrukturore, ndërsa u përgatit tenderi për ndërtimin e një rruge të re portuale drejt kalatës së re lindore. Në qershor në të njëjtin territor ka përfunduar edhe rikonstruksioni i plotë i kalatës 10 me një vlerë 1.13 miliard lek. Projekti i hyrjes nr. 4 me një investim të përgjithshëm prej 159 milionë lekë u përqendrua në punimet ndërtimore për Portën e re, e cila u pajis me sistem elektronik kontrolli dhe sigurie. Traseja dhe asfaltimi i rrugës me gjatësi 740 metra dhe gjerësi 19 metra ka përfunduar tërësisht në njërën prej korsive trekalimëshe, ndërsa vazhduan intensivisht një sërë punimesh të tjera. Investimi përfshin një sipërfaqe të përgjithshme punimesh prej 27 mijë metër katrorë. Përveç elementëve të Portës nr. 4, ka përfunduar ndërtimi i një sheshi prej 5 500 metra katrorë me godinën përkatëse për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar paraprakisht udhëtimin me traget. Investimi tjetër me vlerë 31.5 milionë lekë ka shërbyer për ndërtimin e rrugës së re dytësore drejt godinës së Doganës së portit, si dhe për sistemin e ri të tubacioneve për furnizimin me ujë të të gjitha kalatave, shesheve dhe zyrave portuale. Në qershor u zhvillua edhe tenderi për ndërtimin e rrugës së re, nga rrethrrotullimi i ri drejt kalatës lindore. Projektet infrastrukturore u zbatuan në pjesën lindore të portit, atje ku ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i kalatës 10 me një vlerë 1.13 miliard lekë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”





