Kreu i ri i Grupit Parlamentar të PD-së, interviste per gazeten “Panorama”: “Olldashi u sqarua, nuk besoj se ndonjëri brenda Grupit do bëjë opozitën e opozitës”

10 shtator 2013-Kryetari i ri i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, shpjegon arsyen e komandimit të tij në këtë pozicion. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se do ta mbajë postin deri në momentin e zgjedhjeve të reja në parti, ndërkohë që nuk e përjashton mundësinë e kandidimit sërish.

I pyetur për pakënaqësitë e shprehura nga Sokol Olldashi në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar, Paloka tha se “Vazhdimisht brenda Grupit ka pasur debate. Nuk e shoh si një problem. Besoj që çështja sot u sqarua. Besoj se edhe zoti Olldashi për problemet që ngriti, do jetë sqaruar”. 
Ju u zgjodhët nga Grupi Parlamentar në postin e kryetarit. Përse mendoni se kandidatura juaj ishte ajo e duhura, ndërkohë që pjesë përbërëse e Grupit janë edhe ministrat apo edhe themelues të PD-së? 
Së pari është një fakt që ka të bëjë edhe me situatën aktuale. Dihet që ne jemi në pozitë jo normale brenda PD-së pas humbjes së zgjedhjeve, kur kryetari i PD-së Berisha dha dorëheqjen dhe, bashkë me të, edhe pjesa tjetër e funksionarëve të lartë. Sot ishte edhe seanca e parë e Kuvendit dhe ne duhet të kishim një drejtues grupi. Në këto kushte u gjet një formulë që unë të komandohesha në krye të Grupit edhe për faktin se kam qenë deri në seancën e fundit nënkryetar i Grupit. Bashkë me mua ishin edhe Halimi sekretar dhe Strazimiri zëdhënës. 
Zgjedhja juaj është deri në dhjetor, kur mund të mblidhet Këshilli i ri Kombëtar. Në dhjetor do kandidoni për kryetar të Grupit Parlamentar, njëkohësisht edhe nënkryetar të PD-së?
Së pari do të shikohet nëse statuti i PD-së do të qëndrojë ky që është, që parashikon që kryetari i Grupit është edhe nënkryetar i partisë. Mund të ketë ndryshime, ka disa ide që qarkullojnë, por mund të rri edhe kështu. Deri në momentin që do të zhvillohen zgjedhjet brenda Këshillit Kombëtar do të jetë një periudhë e caktuar. Nuk e di nëse do jetë dhjetori, më herët apo më vonë. Por kurdo që të jetë, ne do kemi krijuar edhe një lloj eksperience. Do të shohim dhe ecurinë që do kemi gjatë kësaj periudhe. Jo për të bërë modestin e tepruar, sepse modestia e tepruar është gjithmonë mendjemadhësi, por realisht jo se nuk e ndiej veten të vlerësuar. Ndihem i vlerësuar për këtë zgjedhje dhe e shoh me përgjegjësi të madhe. Për mua, sa i madh ka qenë gëzimi për vlerësimin dhe besimin që m’u dha, po aq e madhe ka qenë edhe pesha e përgjegjësisë që do kem, sepse nuk është e lehtë të drejtosh një Grup Parlamentar si i yni, që është tepër cilësor për nga përbërja. S’është e lehtë të mos zhgënjesh atë që demokratët presin prej nesh dhe prej meje personalisht. 
Nuk e përjashtoni mundësinë e kandidimit në dhjetor? 
Absolutisht jo. Nuk kam arsye pse ta përjashtoj. Ju jeni cilësuar si pjesë e linjës së ashpër të PD-së. 
Në këta muaj që do të drejtoni Grupin, ne do të shohim në Parlament një opozitë të ashpër? 
Nuk ka aspak lidhje qëndrimi i Grupit Parlamentar me atë që ju e lidhni me personin tim. Mua më pëlqen të them që jam i drejtë dhe, kur nuk shoh drejtësi, mund të bëhem dhe i ashpër. Sa për politikën e Grupit, ajo nuk përcaktohet nga Edi Paloka, pavarësisht se sot unë jam drejtues i këtij grupi. Politika e grupit përcaktohet nga kryetari i partisë dhe nga të gjithë ne. U bë e qartë edhe sot nga Basha, i cili tha se si do të jetë pozicioni i Grupit tonë Parlamentar. Ne do jemi një opozitë luajale, që nuk do mbështetet mbi shpifjet, siç ka bërë opozita e drejtuar nga Rama, një opozitë që nuk do përdorë dhunën kur të mos ketë argumente. Por në të njëjtën kohë do të jemi një opozitë që do ruajë dhe kontrollojë në çdo moment që interesat e qytetarëve shqiptarë, por edhe të opozitës të mos shkelen. Në qoftë se Rama, siç duken gjasat, do vazhdojë ta përdorë pushtetin për interesat e tij dhe të Koçove, do të përplaset me ne, madje fort. Ëndrrat që sot është duke parë me pushtet në bregdet, nesër mund t’i kthehen në makthe.