TIRANË, 6 shtator 2013 – Durrësi ka siguruar 8 për qind të kredive në shkallë vendi në vitin 2013, thotë Open Data Albania (ODA), që ka kryer një kërkim mbi nivelin e kredimarrjeve në Republikën e Shqipërisë për harkun kohor 2008-2012. Krahasuar me Tiranën që ka marr 72 për qind të totalit në shkallë vendi, Durrësi nuk është keq, renditet i pari pas kryeqytetit (shih grafikun). Sipas ODA-s, tё dhënat e marra nga Banka e Shqipërisë, dëshmojnë se ndryshim interesant përbëjnë kreditë duke krahasuar rrethet e Republikës së Shqipërisë njëri me tjetrin. Nivelin maksimal të kredive e përbën Tirana si rrethi më i populluar në vendin tonë. Në vitin 2012 kreditë e marra në rrethin e Tiranës zinin 72 për qind të të gjitha kredive në total me 390 253 000 000 lekë, duke pasur peshën kryesore të kredive. Pjesa tjetër prej 28 për qind ndahet mes rretheve të tjera ku renditen Durrësi me 8 për qind; Elbasani, Vlora dhe Fieri me 3 nga për qind; Shkodra, Korça dhe Lezha me nga 2 për qind dhe 6 përqindëshin e mbetur e zënë të gjithë rrethet e tjera. Durrësi ka peshë shumë të lartë në prodhimin e brendshëm bruto, vjen i dyti për nga numri i bizneseve pas Tiranës, ka portin ku qarkullojnë mbi 80 për qind e mallrave të import-eksport, për rrjedhojë, ka dhe doganën më të madhe. Për shkak të këtij fakti, në qytetin bregdetar ndodhen pothuajse 99 për qind e degëve të bankave të huaja në Shqipëri, gjë që ka rritur konkurrencën në tregun bankar dhe në kredidhënie.
Info
Nuk është e rastit që selia e parë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë e filloi veprimtarinë e saj në vitin 1925 në Durrës (shih foton e vitit 1925, aktualisht seli e degës së bankës turke Banka Kombëtare Tregtare) dhe jo në Tiranë, ku u transferuar në vitin 1936. Historia e Bankës së Shqipërisë dhe e sistemit monetar e të kreditit në Shqipëri është historia e përpjekjeve që i paraprijnë krijimit të institucionit të bankës qendrore (1863-1924), krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë (1925-1944), kalimit në Bankën e Shtetit Shqiptar (1944-1992) e cila kishte njëkohësisht atributet e një banke tregtare dhe ato të një banke qendrore, për të përfunduar në sistemin me dy nivele me Bankën e Shqipërisë (që prej 1992), e cila përmbush nevojat e plota të një banke qendrore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





