DURRËS, 6 shtator 2013 – 8 ditë pas mbërritjes në Durrës të jahtit luksoz gjermanSea Cloud, dikur anije-qeveri-ambasadë-presidencë-patrulluese, me një moshë 82 vjeç, më 12 shtator parashikohet të mbërrijë sërish kroçera finlandeze Kristina Katarina.  Sikurse bëjnë ditur burime zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, në port, më 4 shtator 2013 paradite, mbërriti jahti luksoz me 4 direkë Sea Cloud, pronë e kompanisë detareSea Cloud CruiSeS GmbH, Hamburg, Gjermani, 110 m x 14 m metra. Kishte në bord 60 turistë nga SHBA dhe nga vende të ndryshme të Evropës. Ka lundruar gjatë natës nga Saranda drejt Durrësit, pasi destinacioni për turistët ishte Tirana dhe Kruja. U nis në mbrëmje drejt të Malit të Zi. Kjo është vizita e dytë e këtij jahti në portin e Durrësit, pas asaj të shtatorit të vitit 2012. Anija do të kryejë edhe një lundrim tjetër turistik drejt Durrësit brenda këtij muaji. Ndërkohë më 12 shtator 2013 mbërrin sërish kroçera finlandeze Kristina Katarina.  Është një paketë e quajtur “Turi në Adriatik” 8-14 shtator 2013 (Split Kroaci, Koper Slloveni, Venencie Itali, Durrës Shqipëri, Brindisi Itali, Prevezë Greqi (shih hartën e itinerarit). Kristina Katarina ka ardhur në portin e Durrësit më 9 maj 2013, ora 6:30 paradite, me 325 turistë ne bordin e saj, ku qëndroi deri në orën 19.00, pasi turistët vizituan Durrësin, Krujën dhe Beratin. Anija turistike ka vizituar disa herë portin e Durrësit. Për herë të fundit ajo u ankorua në portin më të madh të vendit tonë në tetor të vitit të kaluar. Sipas kompanisë detare finlandezeKristina Cruises, që ka në pronësi kroçerën Kristina Katarina, përveç shtatorit, do të vijë dhe në tetor.

Info / Jahti romantik

Prekja e një porti nga Sea Cloud-i konsiderohet kudo në botë si ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin se është tepër luksoz, por edhe për “biografinë” 82-vjeçare. Sea Cloud u ndërtua në Kiel, Gjermani si një anije për kompaninë amerikane për EF Hutton & Co. U përurua në vitin 1931, me emrin Hussar II; në kohën e ndërtimit, ishte jahti më i madh privat në botë. Në vitin 1935 ambasadori amerikan në Moskë Xhozef Dejvis (Joseph E. Davies) bleu anijen dhe i vuri emrin Sea Cloud. Si një njeri me ndikim politik, Davies argëtonte shumë njerëz të profilit të lartë në anije, duke përfshirë Mbretëreshën Elisabeta të Belgjikës. Madje ka shërbyer si “ambasadë”, pasi zyrtarë sovjetikë dhe amerikanë qëndronin dhe takoheshin në anije. Ambasadori ia ofroi me qira ministrisë amerikane të Marinës në vitin 1941, por nuk u pranua nga flota ushtarake. Presidenti Ruzvelt (Roosevelt) nuk ishte dakord që të hynte në shërbim të ushtarak, duke theksuar se ishte një anije shumë e bukur për t’u sakrifikuar. Megjithatë, më 7 janar 1942, marina rivlerësoi pozicionin, duke e përdorur si anije-stacion meteorologjik, duke i hequr katër direkët, lyer në gri si luftanije dhe armatosur. Ka shërbyer edhe në Rojën Bregdetare gjatë viteve të Luftës II Botërore. Është dekoruar për merita lufte. Në vitin 1947 u kthye në shërbim civil, në vitin 1949 u pajis me një grup komplet të ri prej 29 velash. U lye me ngjyrë bardhë, dhe në kiç u pikturua një shqiponjë ari. Rikonstruksioni i anijes mori gati katër vjet. Pronësia shkoi nga Dejvisi tek e shoqja pas divorcit, e cila vendosi të shesë anijen. Rafael Truhiljo (Trujillo), diktatori gjakatar i Republikës Dominikane, bleu Sea Cloud-in në vitin 1955, duke i vënë emrin e së bijës Angelita. Jahti shërbeu si banesë dhe zyrë qeveritare. Pas vrasjes së Truhiljo-s më 20 maj 1961, familja e tij u përpoq për të largohej bashkë me kufomën në bordin e jahtit për në ishujt Kanarie, por u detyrua të kthehej nga qeveria e re. Pesë vjet pas vdekjes së Truhiljos, anija, e quajtur tani Patria, iu shit kompanisë Operation Sea Cruises, që iu vuri emrin Antarna. Por në SHBA u bllokua nga autoritetet portuale pas një mosmarrëveshjeje. Pronarët ëndërronin ta kthenin në “shkollë oqeanike”, por u bllokua për 8 vjet në Panama. Një kompani nga Hamburgu e bleu edhe i vuri emrin e dikurshëm Sea Cloud. Pasi lundroi në Evropë, mbërriti në portin e Hamburgut më 15 nëntor, 1978. Sea Cloud-i për 8 muaj iu nënshtrua riparimeve në kantierin ku u ndërtua. U ri-projektua për një kapacitet 64 udhëtarë dhe një ekuipazh prej 60 vetë. Nisi lundrimin në vitin 1979. U përshkrua nga guidat ndërkombëtare si “anija me vela më romantike në det”. Në vitin 2011, iu nënshtrua një remonti tjetër. Është anija turistike më e lakmuar në botë nga shoqëria e lartë amerikane.

Kristina Katarina

Kristina Katarina (ish-The Iris në vitet 2000-2010, Francesca në vitet 1996-2000,Konstantin Simonov në vitet 1982-1996) është anije turistike me 6 kuverta në pronësi të kompanisë finlandeze Kristina Cruises. U ndërtua me porosi nga ish-Bashkimi Sovjetik si traget për automjete dhe udhëtarë në kantierin Stocnia Szczecinska im Adolfa Warskiego në Shçecin të ish-Republikës Popullore të Polonisë, dhe u hodh në det më 17 prill 1981. Iu dorëzua ndërmarrjes shtetërore detare të Detit të Zi në Odesa në vitin 1982. Në vitin 1987-1988 anija u modernizua në kantierin detar gjermano-perëndimor Lloyd Werft. Më 24 shkurt 2010 u regjistrua në portin finlandez Kotka me emrin Kristina Katarina. Modernizimi i anijes u krye nga koncerni Almaco në Kotka dhe Naantali, gjatë të cilit rinovimit iu nënshtruan të 193 kabinat, shkallët, mjediset publike, salla e konferencave, restoranti dhe shumë të tjera. Gjatësia 137,61 m, gjerësia 21.01 m, zhytja 5.6 m, shpejtësia 20 nyja, ekuipazhi 189 vetë (planifikuar), 90-100 (në vitin 2012), kapaciteti 380 udhëtarë, 380 shtretër, 193 kabina udhëtarësh, 14 makina.

Tekstet shoqëruese të fotove:

1.     Turistë të Kristina Katarina gjatë vizitës në Durrës

2.     Harta e itinerarit Kroaci-Slloveni-Itali-Shqipëri-Greqi 8-14 shtator 2013

3.     Jahti Sea Cloud në portin e Durrësit më 4 shtator 2013

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/