TIRANE,6 shtator 2013- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani paralajmëroi dje në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut se mund të refuzojë për dekretim ndonjërin nga ministrat nëse do të ketë arsye kushtetuese. Ai la të kuptohet se do të kërkojë informacion nga institucionet e tjera në bazë të ligjit për secilin nga emrat e kabinetit “Rama”. Lidhur me dekretimin e kryeministrit të ri, Nishani bëri të qartë se do të ndodhë në çastin më të parë të mundshëm. Sa i përket debatit për SHQUP, Nishani tha se nuk do të përdorte dy standarde nëse PS apo LSI e kërkonin për vete. 

Z.Nishani, do të jeni në detyrën e Presidentit në kalimin e pushtetit nga njëra forcë politike drejt një force tjetër. Duket pak e vështirë në fillim. A jeni i përgatitur ju për këtë kalim politik? 

Ky është normaliteti i një demokracie të konsoliduar, i një demokracie që funksionon. 

A kanë qenë krejt demokratike këto zgjedhje dhe a ka qenë demokratike gjithë situata para dhe paszgjedhore? 
Unë besoj se po. Ka qenë situatë para dhe paszgjedhore nga më të mirat e hasura ndonjëherë. Këtë e bazoj jo vetëm në gjykimin tim; ka qenë një fushatë që në mënyrë të përsëritur unë e kam përcjellë edhe tek opinioni vendas dhe te partnerët, e mbështetur tërësisht në vizionin dhe në platformat qeverisëse, kryesisht e fokusuar te çështjet e ekonomisë, si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Procesi zgjedhor, padyshim, ka qenë një proces i mirë. Natyrisht që unë besoj se pas daljes së raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë, duhet të merren hapa të tjerë për ta përmirësuar akoma më shumë në të ardhmen. Ne kemi nevojë për përsosmëri gjithmonë. 

Z.Berisha ka deklaruar sot (dje) në mbledhjen e qeverisë se do t’ju paraqesë juve dorëheqjen? A do t’ia pranonit menjëherë dorëheqjen kryeministrit? A ka nevojë kryeministri që t’jua paraqesë juve dorëheqjen? 

Natyrisht, procedura e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, do të ishte mirë të respektohej; kështu që çdo hap që ka të bëjë me një kalim normal të pushtetit, është një hap pozitiv dhe mund të aplikohet në Shqipëri. 

Si do ta gjykonit vendimin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministrit në detyrë për t’u tërhequr nga udhëheqja e Partisë Demokratike pas një karriere 23-vjeçare në politikën shqiptare? 

Është plotësisht një e drejtë personale dhe individuale e gjykimit politik dhe njerëzor të zotit Berisha. Kjo mbetet një çështje që do të reflektohet, pa dyshim, në historinë politike. 

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ju keni 7 ditë kohë për ta dekretuar kryeministrin e ri. Do ta shpenzoni komplet këtë periudhë kohore, apo mendoni se mund të kryhet më shpejt? 

Unë mendoj se nuk ka nevojë për asnjë lloj sforcimi të pamotivuar të konsumimit të kohës, koha është gjithnjë në dispozicion të funksionit dhe detyrës që kryen. Në çastin që funksioni, detyra dhe përgjegjësia janë të qarta për t’u ushtruar, ato duhet të ushtrohen në çastin më të parë të mundshëm. 

Që do të thotë se ju do ta dekretoni në çastin më të parë të mundshëm kryeministrin e ri? 
Pa diskutim. 

Pas dekretimit të kryeministrit të ri, ai duhet të paraqesë listën e ministrave për t’u dekretuar sërish nga Presidenti i Republikës, më pas për t’u betuar në Kuvend dhe për të filluar funksionin e tyre ose për të marrë detyrën. Keni sërish 10 ditë kohë. Ju jeni njohur me listën e ministrave, nuk është si rastet e tjera që dekretimi i Kryeministrit ka çuar më pas në bërjen publike të listës së ministrave. A keni ju, si President i Republikës, pakënaqësi, hezitime dhe paragjykime për ndonjë nga ministrat e deklaruar të mazhorancës së majtë? 

Ushtrimi i detyrave kushtetuese nuk lidhet me pakënaqësitë apo hezitimet personale, përveçse me detyrimet kushtetuese dhe kriteret ligjore. 

A keni ju pakënaqësi në kuptimin e dekretimit të ndonjërit prej emrave që janë deklaruar nga mazhoranca e majtë si ministra të mundshëm? 

Unë ende nuk e kam marrë zyrtarisht propozimin. 

Ju e dini se kush janë ministrat e qeverisë së re? 

Pa diskutim. Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të mazhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës. 

Ç’do me thënë: “Janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës”? 

Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete. 

Në momentin që ju do të keni zyrtarisht listën e ministrave, do t’u kërkoni institucioneve të tjera kompetente të hetojnë për secilin prej këtyre emrave? Që do të thotë: A do t’i kërkoni ju Shërbimit Informativ Shtetëror apo strukturave të tjera të specializuara që të verifikojnë dhe të hetojnë përputhshmërinë e këtyre personave me postin? 

Jo. Presidenti i Republikës duhet t’i ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe kushtetues që e lidhin atë me një detyrë kaq të rëndësishme, sa ç’është dekretimi i një qeverie të re. 

Dekretimi do të bëhet ministër për ministër, zoti President? 

Dekretet janë me emra. 

Që do të thotë se mund të refuzoni për të dekretuar ndonjë emër të caktuar për arsye të informacioneve që ju mund të merrni apo për mendimet që keni për një figurë? 

Nëse do të ketë arsye kushtetuese, po. 

Vetëm nëse ka raste të arsyeve kushtetuese dhe jo ato që lidhen me opinionin tuaj? 

Natyrisht, opinioni i Presidenti të Republikës nuk është një opinion që mund të ndikojë në vendimet apo përmbushjet e detyrave kushtetuese. 

Cilat quhen arsyet kushtetuese? 

Natyrisht, ato që bien ndesh me ligjin, që kanë të bëjnë me karakterin e mospajtueshmërisë së funksionit të detyrës së ministrit. Ato janë qartësisht të përcaktuara në Kushtetutë. 

Në qoftë se nga një shërbim i specializuar do të vinte informacioni se dikush prej ministrave mund të ketë pasur lidhje me ish-shërbimet sekrete të kohës së regjimit komunist etj., a do të refuzonit ju ta dekretonit? 

Nuk mund të paragjykoj asnjë hap të Presidentit të Republikës në këtë çast, por natyrisht, Kreu i Shtetit, do të jetë një respektues strikt i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit, pa diskutim, se kjo është detyra dhe përgjegjësia e tij. 

Mbeten 10 ditë kohë nga çasti i marrjes së propozimit të emrave të ministrave deri në dekretimin e tyre; a do të ndiqni për dekretimin e qeverisë të njëjtën rrugë të shpejtë si në dekretimin e Kryeministrit? 

Pa diskutim që do të ndjek një rrugë normale; nuk ka asnjë arsye për të krijuar pengesa artificiale apo tejkalime artificiale të kohës. 

Kryeministri i ri ka paralajmëruar vizita zyrtare në Kosovë, Bruksel dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A mendoni se dekretimi do të kryhet brenda kësaj kohe për t’i mundësuar atij t’i realizojë këto vizita? 

Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është një element i rëndësishëm për funksionimin e tyre, për imazhin e vendit, por edhe për përmbushjen e detyrave të gjithsecilit. 

Ai duhet kryer kalimi i pushtetit nga një mazhorancë e djathtë, që e ka ushtruar këtë pushtet për 8 vjet, në një mazhorancë të majtë, që ka marrë një numër prej 83 mandatesh aktualisht? 

Me gjithë problemet që ekzistojnë ende, unë besoj se kemi një administratë civile të konsoliduar. 

Çfarë rol do të luani ju, si President i Republikës, në këtë kalim të pushtetit nga e djathta drejt së majtës? 

Asgjë më shumë se ç’përcakton Kushtetuta. Nuk mund të dalë Presidenti i Republikës jashtë tagrit të tij Kushtetues: Përgjegjësi shumë të madhe në përmbushjen e detyrimeve të tij kushtetuese, që fillojnë me thirrjen e Kuvendit, me dekretimin e Kryeministrit, të qeverisë, betimin e ministrave dhe paralelisht me këta inkurajimin e institucioneve të pavarura për të përmbushur detyrat e tyre me të njëjtin temp, ritëm dhe përgjegjësi si në çdo kohë normale të qeverisjes. 

A do të refuzonit ju që të firmosnit në një rast të mundshëm, apo të refuzonit presionet që mund të keni për zëvendësimin e Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Kreut të Prokurorisë së Përgjithshme ose institucione të tjera të pavarura, që natyrisht, kësaj mazhorance që vjen do t’i leverdiste t’i kishte të vetat? 

Asnjë presion nuk do të gjejnë te Presidenti i Republikës, por mjedis bashkëpunues. 

Në betejën politike midis palëve politike ka rezultuar që edhe Presidenti i Republikës nuk ka qenë i shmangur nga targeti i zhargonit apo… 

Një nga pjesët më të komentueshme, zoti President, ishte nxjerrja nga plani i shpërndarjes që ju i bëtë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, menjëherë, pasi qeveria vendosi ta kalonte atë si seli të re të Partisë Demokratike. A ishte kjo firmosje një vënie në shërbim të Partisë Demokratike dhe përse e firmosët menjëherë pas vendimit të qeverisë këtë? 

Së pari, do të bëja të njëjtën gjë edhe po t’i jepej për seli Partisë Socialiste. 

Ndërkohë që pati mjaft komente që nënvizonin faktin që veprimi që u ndërmor dhe lirimi i selisë së Partisë Demokratike ishte për arsye të interesave pronësore, po e quaj, që ka familja juaj, konkretisht gruaja juaj. Si është ekzaktësisht kjo çështje? 

Padyshim që ishte një insinuatë e padenjë… 

Ç’do të thotë ‘insinuatë e padenjë’? 

Insinuatë e padenjë do të thotë një nismë e intrigave të kafeneve të Tiranës, me një synim të padenjë, gjithashtu për të njollosur, dhe për të përfolur integritetin e Presidentit të Republikës krejt pa baza, krejt pa fakte. Së pari, prona mbi të cilin është ngritur objekti ku ka qenë deri më tash selia e Partisë Demokratike nuk ka asnjë lloj lidhjeje me pronësinë e familjes sime. 

Në qoftë se në muajt në vijim Partia Socialiste do t’u kërkonte një gjë të ngjashme për atë vetë ose për LSI-në, do të ishit i gatshëm të ribënit të njëjtën procedurë? 

Nuk mund të veprojë me dy standarde Presidenti i Republikës. 

Pra, nëse do t’ju vinte një propozim, do të ishit i gatshëm të firmosnit për një gjë që varet nga ju? 

Me të njëjtën logjikë dhe procedurë që kanë kaluar dhe akte të tjera të Presidentit. 

Si i shihni zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas largimit të Berishës? 

Është një çështje që i takon tërësisht Partisë Demokratike. Unë vetëm një dëshirë kam që, Partia Demokratike të vazhdojë kontributin e saj tashmë në pozicionin e opozitës shqiptare sepse ashtu siç i kontribuon partia, apo koalicioni, partive që janë në qeverisje vendit, me ushtrimin e detyrave të tyre, me ushtrimin e përgjegjësive, me punët që bëjnë, ashtu dhe opozita i kontribuon vendit me oponencën, me konsensusin, me qëndrimet e saj gjithmonë në përmirësim të çdo hapi, të çdo reforme që ndërmerret në vend. Çështjet e tjera të organizimit, të lidershipit janë tërësisht çështje që u takojnë ekskluzivisht anëtarëve të asaj partie politike. Edhe Partisë Demokratike si çdo parti tjetër politike të vendit që ka kontribute pozitive i uroj gjithmonë suksese në përmbushjen e misionit të saj. Është një mision që është i domosdoshëm dhe i nevojshëm për çdo shoqëri. 

Zoti President, ditën që kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri ende në detyrë i vendit dha dorëheqjen, ai pati një takim me ju një ditë më parë, në mos gaboj. A ju informoi ju Berisha që do të jepte dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike? 

Jo, nuk ka pasur një bisedë të tillë informuese…. 

Për çfarë ishte biseda dhe ku fokusohej? 

Ka qenë natyrisht për procesin, problematikat e procesit që ishin hasur dhe natyrisht për të gjithë vijimësinë e hapave të tjerë që i takonin dy institucioneve për të bashkëpunuar. 

A kishte kryeministri pakënaqësi për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet? 

Natyrisht problematikat shqetësimet që u ndeshën janë bërë prezente dhe nga kryeministri Berisha. Është krejt normale që midis dy institucioneve të paraqiten këto problematika, këto shqetësime dhe që mbeten pjesë e diskutimeve dhe pjesë e angazhimeve të kohës që vjen. 

Ndërkohë, zoti President, ju pritët menjëherë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht sot dhe kryetar i Partisë Demokratike, zotin Basha. Përse e pritët zotin Basha atë ditë? 

Takimi brenda ditës ka qenë një koincidencë, sepse takimi me zotin Basha ishte parashikuar disa ditë përpara.