DURRËS, 5 shtator 2013 – Të kesh tokë në super-zonë turistike (Hamallaj) dhe, për të larë borxhin, ta shesësh “falë”, për 2-3 euro metri katror, kështu i ka ndodhur një 49-vjeçari. Një dramë të vërtetë po përjeton një banor nga Hamallaj i Sukthit, që kishte marrë 50 mijë euro kredi te bullgarët qysh më 7 janar 2008, duke lënë peng dy toka arë. Por nuk ishte në gjendje që pas 5 vjetësh ta shlyente borxhin dhe banka kërkon t’ua shesë të tjerëve me çmim fillestar tejet të ulët. Një shoqëri private përmbarimore e Tiranës njofton se, me kërkesë të bankës private bullgare Banka e Parë e Investimeve, Albania Sh.a, ka regjistruar një çështje përmbarimore ndaj debitorit R. H, datëlindja 19.12.1964 për kthimin e shumës 50 000 euro me kontratën e hipotekës datë 7.1.2008. Më 26 korrik 2013, nga ana e përmbaruesit gjyqësor, është marrë vendimi për caktimin e ri të sendit të paluajtshëm dhe shpalljen e ankandit të dytë për shitjen e dy parcelave tokë arë me vendndodhje në fshatin e Hamallajt të bashkisë së Sukthit Durrës. Ofertat do të pranohen deri më 9 shtator 2013, ora 16:00. Njëra parcelë ka sipërfaqe prej 9 042 m², për të cilën ankandi do të fillojë me çmim fillestar 2 016 000 lekë ose 222.9 lekë (1.6 euro) metri katror. Parcela tjetër ka një sipërfaqe prej 10 918 m², ku çmimi fillestar i ankandit është 4 541 888 lekë. 416 lekë (3 euro) metri katror. Në total, me këtë çmim për 19 960 metra katrorë, bullgarët arkëtojnë 6 557 888 lekë, ose rreth 47 mijë euro. Natyrisht, priten shumë oferta, me çmime deri 10 herë më të larta, gjë që është dhe në favor të bankës edhe të kreditorit. Fshati Hamallaj është një zonë bregdetare, ku kanë marrë prona shumë VIP-a, por që ka çuar edhe në përplasje me banorët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





