TIRANË, 5 shtator 2013 – Një firme durrsake i është besuar jeta e diplomatëve të huaj që banojnë në 4 pallate në kryeqytet. Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD) njofton se shoqëria “FASAL” shpk me seli në Shkozet, pranë kolaudimit të makinave, ish-NTPN, ka fituar tenderin për remontin kapital të ashensorëve të pallateve nr. 4, 6, 8 dhe 57, ku banojnë diplomatët e huaj dhe familjet e tyre në Tiranë. Kohëzgjatja e kontratës është deri më 30 dhjetor 2013. Tenderi është zhvilluar më 1 gusht 2013. Në të kanë marrë pjesë 3 ofertues, njëri prej të cilëve nuk është kualifikuar. Firma durrsake fitoi garën me ofertën 8 389 000 lekë përkundrejt rivales me 8 998 000 lekë, kurse fondi limit i vënë në dispozicion ishte 9 705 240 lekë. Kështu “FASAL” shpk i kurseu DSHTD-së, 1 316 240 lekë.
Info
Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik është person juridik, publik, në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe objekti kryesor i veprimtarisë së saj është plotësimi i kërkesave të përfaqësive të huaja të Trupit Diplomatik të akredituara në Republikën e Shqipërisë. Disa nga detyrat e kësaj drejtorie janë administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë shtetërore, të cilat janë në përdorim për trajtimin e Trupit Diplomatik të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë; administrimi dhe mirëmbajtja e pasurive, të luajtshme e të paluajtshme, pronë e shtetit shqiptar në shtete të tjera, të cilat shërbejnë për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





