TIRANE,5 shtator 2013– Selia e re e Partisë Demokratike dhe sistemimi i kupolës blu në këtë seli sipas herarkisë është kthyer në një arenë ku gjallojnë të gjitha përplasjet politike brenda llojit dhe sinjalet që lajmërojnë cilësinë e problematikën e zgjedhjes së drejtuesve dhe forumeve drejtuese të PD. Madje si në ‘teatrin kinez’ ku përmes simbolikës përcaktoheshin dhe goditjet e radhës në kohën e revolucionit kulturor, dhe selia e re e PD po shërben si një barometër për të parë se kush do të rrëzohet dhe kush do të ngjitet në strukturat dhe forumet drejtuese të demokratëve pas zgjedhjeve brenda tyre që pritet të përmbyllen me Kuvendin, Këshillin Kombëtar, kryesinë dhe zgjedhjen e nënkryetarëve e të sekretarëve të PD në dhjetor të këtij viti. Nëse kryetari i ri i PD Lulzim Basha dhe ish-kreu demokrat e lideri historik Sali Berisha i kanë të fiksuara zyrat në selinë e re të ish-Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë SHQUP, të gjithë drejtuesit aktualë nuk kanë asgjë të sigurtë, dhe do të detyrohen të presin përfundimin e zgjedhjeve brenda PD për të arritur kapjen e ndonjë posti drejtues e për pasojë për të pasur dhe një zyrë në selinë e re.Burimet brenda selisë blu saktësojnë se të përjashtuarit e mëdhenj nga pasja e një zyre në selinë e re të PD janë kryetarja në ikje e Kuvendit, njëherësh nënkryetare e PD Jozefina Topalli, ministri në ikje i Financave dhe Sekretar i Përgjithshëm i PD Ritvan Bode, sekretarët e tjerë të PD, përjashtuar sekretarin e Organizimit Flamur Noka që po merret posaqërisht me sistemimin e zyrave të partisë në pritje të fillimit të sesionit të ri parlamnetar, që për herë të parë pas tetë vitesh e gjen PD në opozitë. “Zyrat e drejtuesve të lartë të PD, nënkryetarëve dhe sekretarëve por dhe zyrat e tjera janë në ristrukturim të plotë.Por dhe pas ristrukturimit, do jenë në dizpozicion të sekretarëve dhe nënkryetarëve e zyrtarëve të tjerë vetëm atëherë kur të zgjidhen nga Kuvendi apo Këshilli Kombëtar. Praktikisht sot janë pa mandat nënkryetarja e PD Jozefina Topalli, e cila ka tetë vite që është zgjedhur nënkryetare dhe nuk është rizgjedhur para katër vitesh, duke vijuar në këtë post pa mandat.Po kështu dhe Ritvan Bode dhe sekretarët e tjerë, përjashtuar nënkryetarin Astrit Patozi i cili e ka dhënë vetë dorëheqjen nga postet”, nënvizon burimi brenda PD. Sipas tij përjashtuar kryetarin e dorëhequr Sali Berisha dhe deri diku dhe nënkryetari Astrit Patozi si dhe gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar, të gjithë drejtuesit e tjerë, përfshirë dhe gjithë anëtarët e kryesisë së PD janë pa mandat dhe ilegjitimitet, pasi kanë tejkaluar të gjitha afatet statutore për t’u rizgjedhur

/shqiptarja.com/