5 shtator 2013- Kryetarja e Forumit Rinor Eurosocialist, Elisa Spiropali, ishte dje në krah të Edi Ramës. Deputeti i Vlorës dhe Kryeministri i zgjedhur mbërriti te zyra e tij nën shoqërinë e Elisa Spiropalit, ndërsa vetë kryetarja e FRESSH-it ka dhënë eksperiencën e saj të konkurseve të punësimit, që janë bërë në Bashkinë e Tiranës kur ajo drejtohej nga Edi Rama.
“Unë kam ikur nga Shqipëria në vitin 1999 dhe jam kthyer në 2006. Kur jam kthyer, nuk kam pasur as më të voglën ide se ku do shkoja dhe çfarë do bëja. Mënyra se si organizoheshin të ashtuquajturat konkurse apo se si funksiononte administrata e shtetit ishte aq e mbyllur, aq nepotike, saqë, çfarëdo shkolle të kishe bërë, ishte e pamundur të penetroje. Kur studioja në Amerikë, e vetmja dritare shprese që në shihnim ishte Bashkia e Tiranës. Dhe mblidheshim gjithë shqiptarët që ishim aty dhe shikonim Bashkinë e Tiranës se ç’hapësira krijonte, vinte era Europë, vinte era modernitet, vinte era konkurs, meritokraci”, tha Spiropali.
Duket se prezenca e kryetares së FRESSH në krah të Ramës është vlerësim i të rinjve si gjatë fushatës, ashtu dhe në ndërtimin e kabinetit qeveritar.
/panorama/





