Plarent Cani dyshohet se “tradhtoi” pas arrestimit. Në Shqipëri, 40-vjeçari pa probleme.
4 shtor 2013-Policia e Durrësit e ka përjashtuar pistën që 40-vjeçari Plarent Cani të jetë ekzekutuar për shkak të ndonjë problemi që mund të ketë pasur në Shqipëri, ndërsa bën me dije se vrasja e tij është porositur përtej kufirit. Pasi kanë verifikuar të gjitha lidhjet që 40-vjeçari ka pasur në tokën shqiptare, qoftë me biznesin, ashtu edhe në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm, policia ka dalë në përfundimin se ekzekutimi i Canit ka si prapaskenë të kaluarën e tij në shtetin italian, pavarësisht se biznesmeni prej më shumë se 10 vjetësh nuk ka shkelur në gadishullin Apenin. Burime nga Policia e Durrësit thonë se biznesmeni i ndërtimit mund të jetë viktimë e ndonjë tradhtie.
Ekspertet e grupit hetimor të caktuar për të hetuar vrasjen e Plaurent Canit kanë siguruar informacione që tregojnë se 40-vjeçari përndiqej prej një grupi kriminal me epiqendër Italinë. Agjentët e Krimeve besojnë se Cani ose ishte peng i ndonjë shume të pashlyer parash te trafikantët e drogës, ose mund të ketë bashkëpunuar me Policinë italiane, duke nxjerrë emra dhe sekrete. Nisur prej kësaj, hetuesit e çështjes dyshojnë që për ndërtuesin 40- vjeçar vrasësi i tij është porositur që përtej kufirit. Gjithashtu, mësohet të ketë të dhëna se autorët qëndrojnë jashtë Shqipërisë dhe kanë mbërritur posaçërisht për të ekzekutuar biznesmenin.
Sakaq, policia ka shoqëruar në ambientet e saj me qëllim marrjen në pyetje mbi 40 persona që mund të kenë dijeni mbi krimin, mes tyre të afërm të viktimës, dëshmitarë të cilët u ndodhën në vendin e ngjarjes në momentin e ekzekutimit të tij, por edhe persona me të cilët 40-vjeçari ka pasur kontakte në lidhje me ndërtimet që ka kryer në Durrës. Sipas Policisë, Plarent Cani nuk ka pasur ndonjë konflikt të tillë në Shqipëri, sa të arrinte deri në ekzekutimin e tij. Pas verifikimeve me shitblerjet në lidhje me aktivitetin në fushën e ndërtimit, konfirmohet se nuk ka pasur asnjë problem dhe se 40-vjeçari ka blerë gjithçka me para në dorë, ndërsa nuk është vërejtur as problemi më i vogël në asnjë drejtim.
Në këto kushte, policia e ka përjashtuar faktin që biznesmeni të jetë ekzekutuar për mosmarrëveshje që mund të ketë pasur në lidhje me aktivitetin e tij, ndërsa tashmë për të identifikuar autorët i ka hedhur sytë drejt Italisë. Pasi u arrestua në vitin 2006, drejtësia italiane e dënoi me 23 vite burg 40-vjeçarin, ndërsa Apeli më pas e uli dënimin, duke e lënë me 14 vjet. Mësohet se 40-vjeçari nuk e ka kryer dënimin prej 14 vjetësh, pasi ai u la i lirë për këtë akuzë. Policia bën me dije se Plarent Cani ka qenë i përfshirë në organizata kriminale, kryesisht në atë të drogës dhe prostitucionit, si dhe ka pasur lidhje me grupe të njohura të këtyre veprimtarive ilegale.
/PANORAMA/





