DURRËS, 4 shtator 2013 – Skulptori durrsak Qazim Kërtusha “shkon” në Uashington nëpërmjet “Zërit të Amerikës, që i ka kushtuar një telereportazh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ilirian Agolli që vizitoi studion e artistit Kërtusha në Durrës, thotë se Kërtusha po punon për një vepër të re. Ende në bocet, skulptura simbolizon ngjarjet e dhunshme të vitit 1997, ndërsa autori ka disa ide për të përjetësuar në vepra arti edhe eksodin masiv të shqiptarëve në vitin 1991, apo figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Xhon Lenon
Por midis veprave të tij që ka më shumë për zemër është skulptura e këngëtarit të famshëm të grupit muzikor britanik Beatles Xhon Lenon (John Lennon, 1940-1980), e vendosur në park dy vjet më parë. Edhe për formën e veçantë që ka skulptura e këngëtarit të famshëm britanik atë e vizitojnë shumë turistë dhe madje ajo është një veprat më shumë të fotografuara të skulpturave të parkut në qytetin e Durrësit, e vendosur në 2011 te lulishtja përballë portit detar më të madh të vendit. Është befasi e këndshme për shumë turistë që në një port shqiptar i pari që i pret është një prejBeatles-ve të famshëm britanikë. Vepra në bronz e Qazim Kërtushës synon të evokojë etjen e madhe për lirinë e shprehjes gjatë viteve të izolimit komunist dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve. Disa prej tyre i kanë marrë statujës shpesh herë për suvenir syzat e artistit, por skulptori i ka mbërthyer përsëri, sepse ato janë domethënëse në portretin e këngëtarit. “Ishte figura e brezit tim, – thotë Kërtusha në intervistë. Ishte figura e këngëve që këndonim ne. Ishte tendenca për të fituar liri, hapësirë. Dhe figura e Lenonit është zgjidhur fare thjesht, është si diçka e zakonshme, është shumë demokratike, sikurse thonë kolegët e mi. Në stol ulet kushdo, bisedon me të. Ka të rinj të sotëm që nuk e njohin, por e nderojnë shokët e brezit tim si një nga djemtë e Liverpulit, e nderojnë qytetarë të tjerë, kosovarë. Por sidomos të huaj, që ulen e bisedojnë me të, fotografohen. Janë polakë, amerikanë etj.”.
Vepra të tjera
Artisti 60-vjeçar, Qazim Kërtusha, e ka nisur karrierën e vet 30 vjet më parë. Ai është njëri ndër skulptorët më aktivë në jetën artistike të Shqipërisë. Mes shumë veprave të tjera, ai është autor dhe bashkautor i shtatores së Aleksandër Moisiut në Vjenë të Austrisë, i shtatores së Haxhi Zekës në Pejë, i shtatores së dëshmorit të UÇK-së Indrit Cara, dhe shtatores së ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush në Fushë Krujë dhe i bustit të dom Nikollë Kaçorrit, zëvendëskryeministrit të qeverisë së pavarësisë. Në studion e tij presin të marrin jetë edhe shumë vepra të reja për heronj dhe simbolika të ndryshme të jetës shqiptare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





