Në foto: Forca irakiane të sigurimit duke hyrë nëpërmjet portës kryesore të kampit Ashraf në verilindje të Bagdadit më 17 shkurt 2012 (foto: AP)
 

BAGDAD, 3 shtator 2013 – Gazeta amerikane Washington Post shkruan se forca irakiane të sigurisë kryen një “masakër” mbi 52 disidentë iranianë të paarmatosur të dielën në mëngjes në kampin e tyre në veri të Bagdadit, thanë azilantët iranianë. Sulmi në kampin Ashraf filloi në orën 5 të mëngjesit dhe zgjati deri pasdite vonë. Trupat irakianë u lidhën duart pas shpine disidentëve dhe i qëllonin në kokë, tha një banor i kampit, i cili kërkoi të mos identifikohej për arsye sigurie. Zyrtarë irakianë pranuan vdekjet, por sipas tyre ato u shkaktuan nga konflikte të brendshme midis 100 banorëve të kampit. Ambasada e SHBA-së në Irak ka dënuar fuqishëm “ngjarjet e tmerrshme” në kampin Ashraf. Sadam Huseini lejoi azilantët iranianë, anëtarë të Mujahedeen-e-Halk (MeK), të ngrinin një bazë të tyre paraushtarake në kampin Ashraf në vitin 1980. Disidentët kundërshtojnë regjimin teokratik të Iranit. Pasi diktatori irakian u rrëzua gjatë një sulmi të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, ushtria amerikani çarmatosi disidentët, që nuk ushtronin më dhunë qysh në vitin 2001. Departamenti amerikan i Shtetit e hoqi MEK-un nga lista e grupeve terroriste e saj një vit më parë. Gati 3 000 banorë të kampit Ashraf u zhvendosën në kampin e Lirisë, afër aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja që kërkon dërgimin e iranianëve jashtë vendit. Gjithsej 162 anëtarë të MeK-ut u çuan jashtë vendit deri më tani, më së shumti në Shqipëri. Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki, vet shiit, i rritur afër Iranit, dëshiron që disidentët iranianë të largohen nga vendi i tij. Ndërsa shumica e azilantëve iranianë u zhvendosën në kampin e Lirisë, rreth 100 mbetën në kampin Ashraf për të mbrojtur pronat e tyre. Të dielën forca speciale irakiane “i vranë një nga një” dhe u vunë zjarrin ndërtesave brenda kampit, tha burimi në kampin Ashraf. Ai e çoi në 52 numrin e të vdekurve dhe se 7 të tjerë konsiderohen të zhdukur. 6 prej të zhdukurve janë gra. Shahin Gobadi, zëdhënës në Paris i MeK-ut, që njihet edhe me emrin “Organizata Muxhahedine Popullore e Iranit”, tha gjithashtu se ishin vrarë 52 veta. Ali al- Moussawi, një zëdhënës i z. al-Maliki, konfirmoi se ishin vrarë disa nga banorët e kampit. Ai tha se nga një hetim paraprak del ata vdiqën si rezultat i grindjeve të brendshme midis banorëve të kampit dhe mohoi implikimin e forcave irakiane, sipas Associated Press-it. OKB-ja dënoi sulmin dhe i bëri thirrje qeverisë së Irakut të hetonte incidentin dhe të nxirrte përgjegjësit. “Përparësi për qeverinë irakiane është dhënia e ndihmës së menjëhershme mjekësore për të plagosurit dhe vendosja e sigurisë së tyre dhe mbrojtja nga çfarëdolloj dhune”, tha Gjorgj Buzhtin (Gyorgy Busztin), zëvendës-përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Irakun. Me mandatin e vet humanitar Misioni i Asistencës i OKB-së në Irak “po ndjek nga afër zhvillimet në terren dhe po përdor të gjitha mjetet e mundshme për të kryer vlerësimin e situatës”, tha zoti Buzhtin. Në kampin e Lirisë, ndërkohë, banorët kanë hyrë në një grevë urie për të protestuar kundër sulmit në kampin Ashraf, tha Shahriar Kia, zëdhënës i banorëve një intervistë telefonike nga Kampi i Lirisë. Kampi Ashraf më parë ka qenë shënjestër e forcave irakiane: në korrik 2009, të paktën nëntë disidentë u vranë në një sulm të ushtrisë irakiane dhe 34 u vranë në një sulm masiv në prill 2011, sulm që u denoncua gjerësisht si masakër. Disidentët iranianë të vendosur në Tiranë janë të shqetësuar për ngjarjet në Ashraf, madje kanë njohur në fotot e publikuar edhe të afërm të tyre të vrarë.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/