Para pak ditësh dhanë dorëheqjen anëtarët e stafit politik dhe këshilltarët e Kryeministrit aktual.

3 shtator 2013- Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, do të propozojë në mbledhjen e fundit të qeverisë lirimin nga detyra të të gjithë zv.ministrave. Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur  se kreu i qeverisë i është referuar legjislacionit në fuqi, i cili ia njeh këtë atribut mbledhjes së qeverisë. Në nenin 6 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, thuhet se “Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera”. Këtë javë, Berisha pritet të ketë takimin e fundit me anëtarët e kabinetit qeveritar, pasi javën tjetër merr votëbesimin qeveria e re e drejtuar nga kreu i socialistëve, Edi Rama. 

Për këtë shkak, Kryeministri në detyrë ka kërkuar që krerët e dikastereve të jenë liruar nga detyra që kanë mbajtur përpara se kabineti të lërë zyrtarisht detyrën. Aktualisht janë 30 zv.ministra në 15 ministri, të cilët pritet që nesër të kenë ditën e fundit të punës. Praktika e shkarkimit të zv.ministrave nga qeveria në ikje është e re për administratën tonë. Tetë vjet më parë, vendimet e para të kabinetit të drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha ishin pikërisht për shkarkimin e zv.ministrave të qeverisë Nano. 
Pak ditë më parë, kreu i qeverisë në detyrë i kërkoi stafit të tij politik që të japin dorëheqjen dhe aktualisht në detyrë janë vetëm sekretari i Përgjithshëm, Gjergj Lezhja, shefi i kabinetit Oerd Bylykbashi, zëdhënësja Erla Mëhilli dhe shefja e protokollit, Nadia Qesja. Në mbledhjen e parafundit të qeverisë, Berisha u kërkoi ministrave që të bëjnë gati dosjet për pasardhësit në çdo dikaster. 
“Zotërinj ministra, jemi në mbledhjet e fundit dhe kërkoj në mënyrë të vendosur që pasardhësve tuaj t’u lini në tavolinë listën e projekteve në vazhdim dhe, për çdo projekt në vazhdim, në drejtorinë përkatëse duhet të jetë dosja të cilën duhet ta keni kontrolluar. Të mos harroni se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe mund të thonë se nuk gjetëm dosje. Ndaj, një kopje të dosjes do ta merrni me vete dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Kjo do të bëhet”, tha Berisha. Sipas tij, detyrimi i qeverisë aktuale është të vlerësojë votën e qytetarëve, por, nga ana tjetër, duhet vlerësuar edhe puna e deritanishme që qeveria ka bërë.

/panorama/