2 shtator 2013-Një raport i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim vëren një situatë problematike në lidhje me krimet kundër personit dhe pasurisë në Shqipëri. Sipas raportit që analizon situatën e kriminalitetit në vitin 2012 në Shqipëri, problemet kryesore kanë të bëjnë me numrin e lartë të vrasjeve dhe me shpeshtësinë e vjedhjeve ndaj banesave, makinave dhe bizneseve.
Studimi u referohet të dhënave zyrtare të marra nga Policia e Shtetit në përfundim të vitit 2012 dhe thekson se krimi që ndodh më shpesh në Shqipëri është vjedhja e banesave. Gjatë vitit 2012, në vend ka ndodhur një vjedhje banese çdo shtatë orë, plagosje e lehtë me dashje në çdo 6 orë, vjedhje biznesi në çdo 8 orë, kanosje në çdo 8.5 orë, armëmbajtje pa leje në çdo 9.5 orë, vjedhje automjeti në çdo 13 orë, krime kundër jetës thuajse në çdo 24 orë, vjedhje me dhunë ose me armë në çdo 27 orë, vrasje e mbetur në tentativë në çdo 36 orë dhe vrasje në çdo 72 orë. Raporti ka si redaktor përgjegjës Gjergji Vurmon dhe këshilltar Sotiraq Hronin.
Në dokument thuhet se problematika kryesore në krimet e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës është se ato nuk zbulohen. Për këto vepra penale, raporti i IDN thekson se zbulueshmëria është e ulët, nga 26 deri në 52 për qind. Krimet kundër pronës dhe vjedhjet e ndryshme shënojnë pikun e tyre në tremujorin e parë të vitit (periudha janar – mars) vëren raporti.
/panorama/





