Pingpong policish /Rrugorët: Nuk kemi ç’bëjmë, vendos pushteti vendor. Bashkiakët: T’i heqë rrugorja mikrobusët
DURRËS, 2 shtator 2013 – Çdo ditë, me dhjetëra furgonë të linjës Tiranë-Durrës “terrorizojnë” bebet, nënat e reja dhe stafin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” duke u bërë makthi i vazhdueshëm. Thirrja “Hajde Durrës, Durrës”, sipas portalitinvestigim.al, që e editon Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi, “është makthi që shoqëron prej kohësh pacientet dhe stafin e maternitetit të vjetër “Mbretëresha Geraldinë” pranë stacionit të trenit në Tiranë. Britmat nisin në mëngjes dhe mbarojnë pasdite vonë”. Britmat vijnë nga shumë pranë, ndonëse aty nuk është as stacion mikrobusësh dhe as autobusësh. Poshtë dritareve është vetëm një stacion linje urbane dhe për taksi. Por, drejtuesit e furgonëve që bëjnë çdo ditë linjën e Durrësit dhe anasjelltas vazhdojnë informalisht të mbushin automjetet e tyre me udhëtarë pikërisht në vendin e ndaluar, poshtë dritareve të këtij materniteti, thotë investigim.al. Salla e reanimacionit i ka dritaret pikërisht mbi vendin ku janë stacionuar mikrobusët e linjës Tiranë-Durrës. Autorja e shkrimit Sonali Mesareja takon dy efektivë të policisë rrugore, që po gjobitnin dy drejtues furgonësh. Sipas uniformave blu, “nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet një bashkëpunim strukturash. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë si polici rrugore është t’u vendosim gjoba apo t’u marrim dokumentet. Por, duhet të ketë edhe një bashkëpunim me Bashkinë pasi nuk duhen lejuar që këta furgonë ta kalojnë rrethrrotullimin e doganës. Aty duhet t’i presin udhëtarët dhe jo këtu në qendër dhe vend e pa vend. I sheh furgonët që shkojnë deri në qendër të Tiranës për marrë pasagjerë dhe duke thirrur Durrës, Durrës. Nuk është normale”. Kurse në policinë bashkiake u thonë gazetarëve se duhet t’i drejtohen bashkisë së Tiranës për të mësuar se çfarë do bëhet me vendin ku duhet të qëndrojnë furgonët e linjës, ndërsa për largimin nga ambientet para maternitetit thonë se duhet të merret policia rrugore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





