KAPASHTICË,1 shtator 2013- Veprimtarë të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë” u tubuan mesditën e së dielës në pikën kufitare të Kapshticës (në tokën greke) në një protestë, e cila zgjati më shumë seç ishte parashikuar (1 orë).
Lajmi u konfirmua për News24, nga drejtori i kufirit, Ylber Zyberi. Forca të shumta policore monitoruan situatën në të dy anët e kufirit, për të shmangur një incident të mundshëm, ndërkohë që pati edhe përforcim të kufirit.
Drejtori i kufirit Ylber Zyberi bëri me dije se për shkak të protestës u vendos të ndërpritej puna në pikën kufitare të Kapshticës dhe asnjë qytetar shqiptar nuk u lejua për të kaluar në tokën greke, me qëllim shmangien e ndonjë përplasjeje të mundshme.
ZBARDHEN DETAJE NGA PROTESTA
Burime jozyrtare greke konfirmojnë për gazetaren e News24, Enkelejda Skënderasi se protesta është zhvilluar si pasojë e ngjarjeve që lidhen me kishën e Përmetit.
“Na morët kishën ortodokse, të ikin emigrantët shqiptarë nga Greqia!”, mësohet se ka qenë mesazhi i neonazisteve të Agimit të Artë gjatë protestës së sotme.
Një tjetër parrullë e hedhur gjatë protestës ishte, "Atje, atje, atje në Përmet flamurin grek do ngrejmë përsëri!"
Agimi i Artë ka paralajmëruar protesta të tjera të së njëjtës natyrë me të njëjtin motiv.
EMIGRANTËT: NE NUK NA KRIJUAN PROBLEME
Emigrantët shqiptarë të cilët kanë mundur të kalojnë kufirin, rrëfyen për News24 se protesta e Agimit të Artë nuk iu shkaktoi probleme.
“Kishte shumë forca policie, por ne nuk patëm probleme”, u shprehën emigrantët. Ata thanë se nuk kishin dijeni për arsyet e protestës.
“Nga kufiri deri këtej radha ishte e pazakontë”, u shpreh një emigrant shqiptar.
“Pamë një grup policësh. Për mua nuk ka pse të jenë të gjithë ata polica në rrugë, mbase po ruajnë qetësinë, por pse na pengojnë tanët”, tha një emigrant tjetër për News24.
“Erdhëm nga Lefkadha dhe pamë një autobus me policë. Dëgjuam se do bëhej një protestë nga “Agimi i Artë”, tha një zonjë.
“Pamë dy grumbullime policie dhe thamë cfarë ka ndodhur. Nuk na ngacmuan” tha një tjetër.
/balkanweb/





