TIRANE,1 shtator 2013- Është duke kaluar ditët më të bukura të jetës së saj… Në shtëpinë e prindërve, në Durrës, ku është rikthyer për të shijuar edhe një herë ndjesinë e të qenit e përkëdhelura e familjes. Rezarta Shkurta, këngëtarja e mirënjohur e skenës, aktualisht në muajin e tetë të shtatzënisë, rrëfen në një bisedë telefonike për “Bluetooth” përjetimet e këtyre ditëve. Thotë se shtatzënia është emocioni më i bukur që ka jetuar, duke ‘shkatërruar’ kështu edhe konceptin që ajo kishte ndërtuar për lumturinë.
“E vetmja gjë që mund të them është se këto ndjesi ia kalojnë gjithçkaje. Deri tani më duket sikur paskam gëzuar kot”, – pohon Rezi duke qeshur. “Çdo lëvizje e vajzës është një emocion më vete… Fakti që një jetë tjetër po lind brenda meje më bën të ndihem perëndeshë… Do të jem perëndia e një vogëlusheje, që do të presë gjithçka nga unë, uroj vërtet që të mos e zhgënjej”, vijon këngëtarja. E vogëlushja, që pritet të vijë në tetor është për momentin edhe kurioziteti më i madh për mamin dhe babin… “Kujt do t’i ngjajë më shumë, Rezit, apo Ermalit?” – është pyetja që po ‘mundon’ këto ditë të afërmit e çiftit, madje dhe vetë ata. “Dëshiroj shumë që t’i ngjajë babit të vet, Ermalit tim. Nga unë dua të marrë vetëm dashurinë për artin dhe të bukurën”, – vazhdon Shkurta, duke na besuar në vazhdim edhe zgjedhjen që ka bërë për emrin e vogëlushes…
“Kemi zgjedhur një emër budist, domethënia e të cilit është shikimi apo drita e syve. Thënë ndryshe, syri i tretë për budistët”, – vijon Rezi, duke na vënë kështu ne dhe lexuesve përpara një ekuacioni lehtësisht të zgjidhshëm… (Duhet të hapni ‘Google’ që ta gjeni, se ne nuk jua tregojmë). Dhe në fund përpara se ta mbyllnim, Rezi na dha një lajm jo fort të mirë. Për dallim nga shumica e kolegeve të saj, ajo nuk do ta bëjë publike vajzën. Pra, nuk do të botojë asnjë fotografi të saj. “Jam pak supersticioze me thënë të drejtën, por sidoqoftë nuk dua të vendos unë për vajzën. Do ta lë në dorën e saj vendimin për të qenë apo jo pjesë e gazetave”, – përfundon bukuroshja…
/Bluetooth/BalkanWeb/





