TIRANE,1 shator 2013 – Tre persona të pajisur me dokumente fiktive si punonjës të Ministrisë së Punës kanë arritur të largohen në SHBA në vitin 2010 dhe nuk janë kthyer më në Shqipëri. Ky fakt ka dalë në dritë gjatë hetimeve që Prokuroria është duke zhvilluar në lidhje me kallëzimet e bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndaj dikasterit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zyrtarë të këtij institucioni dyshohet se kanë pajisur me dokumente fiktive tre persona në vitin 2010 sikur ata ishin punonjës të Ministrisë. Pajisja me dokumente “si punonjës” është bërë në kuadër të pjesëmarrjes në një seminar trajnimi disajavor që mbahej në SHBA në vitin 2010. 

Pasi kanë marrë dokumentet sikur të ishin punonjës të Ministrisë së Punës, tre personat kanë aplikuar dhe janë pajisur me viza afatshkurtra dhe kanë udhëtuar në drejtim të SHBAve. Nga të dhënat e mbledhura gjatë hetimit ka dalë se tre personat, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë qëndruar në Amerikë gjatë kohës së zhvillimit të seminarit, por më pas kanë shkelur afatin e qëndrimit dhe nuk janë kthyer më në Shqipëri pas përfundimit të aktivitetit trajnues. Moskthimi në Shqipëri i tre personave është evidentuar nga autoritetet organizatore të trajnimit, por edhe nga Policia dhe Prokuroria shqiptare me anë të të dhënave në sistemin TIMS. I dyshuari kryesor për dhënien e dokumenteve është shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës, aktualisht person nën hetim nga Prokuroria. 


ABUZIMET 
Bazuar në kallëzimin penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokuroria ka nisur hetimet ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Punës. Nën hetim është drejtori i Kabinetit të Ministrisë, Kleves Bitro dhe drejtoresha e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, Flora Bitusha. Gjatë vitit 2013, KLSH dërgoi në Prokurori kallëzime penale për katër raste abuzimi, ndërsa organi i akuzës bashkoi në një dosje të vetme këto padi si dhe dy denoncime të tjera të bëra në vitin 2012, të cilat ishin ende nën hetim. Pas kontrolleve në Ministrinë e Punës, KLSH pretendoi për shkelje financiare në aktivitetin 



“Prezantimi i mekanizmit kombëtar të referimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje”, ku janë gjetur shkelje e parregullsi ligjore dhe mungesë e konkurrencës. Subjektet konkurruese kanë qenë në konflikt të interesave, duke shmangur konkurrimin e ndershëm të ofertuesve, me dëm ekonomik për shtetin në vlerën 1 526 000 lekë. Shkelje pretendohet se janë gjetur edhe në organizimin e ngjarjes sociale “Bota femërore, një sfidë me shumë gra në vendimmarrje”, ku janë paguar shpenzime të pajustifikuara për dekorin e aktivitetit për 7 ditë, në vlerën 417 426 lekë. 



Një tjetër episod në hetim është ai i shpenzimeve të padrejta për shërbime jashtë shtetit në vlerën 10 613 euro dhe pagesa të tjera të kryera padrejtësisht për këshilltarin e Ministrit për punë fiktive. Një tjetër episod në hetim është pagesa e rrogës për këshilltarin e ministrit, për periudhën gusht 2011 deri më 31 dhjetor 2012. Sipas KLSH-së dhe Prokurorisë, personi ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për 270 ditë, nga të cilat 160 ditë pune të paguara dhe të pajustifikuara. Për këtë rast, sipas akuzës, përgjegjësia direkte rëndon mbi drejtorin e Kabinetit të Ministrisë, pasi personi është paguar pa shkuar fare në punë. 



http://www.balkanweb.com/kryesore/1/ministria-e-punes-trafik-vizash-per-shba–hetim-per-tre-zyrtare-te-rreme-146827.html