DURRËS, 31 gusht 2013 – Zbrit e hip nga vagonët në stacionin e trenit në Vorë të Tiranës, duke filluar nga 2 shtatori 2013, në vijën Durrës-Tiranë dhe anasjelltas, por dhe në vijat e tjera, do të zbatohet transport i kombinuar hekurudhor-rrugor, kështu kanë vendosur bashkia e Tiranës e Lulzim Bashës dhe Drejtoria e Përgjithshme Ekzekutive e Hekurudhave Shqiptare (HSH) sha me seli në Durrës në varësi të ministrit në largim të Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi. Burime zyrtare nga HSH sha Durrës bënë të ditur se ky kombinim është shkaktuar nga punimet që po kryen në bulevardin “Zogu i Parë” nga ana e bashkisë kryeqytetase për një terminal multimodal. Por Basha ka premtuar autobusë nga Tirana deri në Vorë dhe anasjelltas për të dërguar dhe marrë udhëtarët nga Durrësi, Shkodra, Vlora, Pogradeci, Fieri. Tarifat nuk do të ndryshojnë. Po ashtu dhe oraret e lëvizje së trenave të udhëtarëve. Në gjendjen ku është sistemi hekurudhor shqiptar, gjithsesi, kjo anomali nuk do të ndikojë shumë, pasi numri i udhëtarëve me transportin mbi shina nga distancat e largëta është i vogël. Kurse në vijën Durrës-Tiranë ka studentë dhe nëpunës të pajisur me bileta pajtimi dyjavore. Nuk dihet se deri kur do të vazhdojë kështu. Vetëm se në këtë rast fitojnë pronarët e autobusëve dhe furgonëve nga Durrësi dhe Tirana për të thithur klientët e trenave publikë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/