Vendimi i gjykatës, të pandehurit: Ose merre për nuse, ose paguaj paratë.
31 gusht 2013- Juristja 24-vjeçare ishte “karremi”. Ajo do të joshte biznesmenin e martuar për një raport intim, ndërsa miqtë e saj do ta filmonin kur të ishte duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Më pas, duke e kërcënuar biznesmenin me publikimin e videos, do t’i merrnin 100 mijë euro. Përmes kësaj skeme, katër të rinj futën në kurth një biznesmen, të cilin e shantazhuan më pas për paratë. Detajet e kurthit zbardhen në vendimin e arsyetuar të Gjykatës për Krimet e Rënda në ngarkim të katër të rinjve të akuzuar për ngjarjen, mes të cilëve juristja Raviola L., e dashura e njërit prej të pandehurve.
Ata u fajësuan për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”. Katër të rinjtë u dërguan si të pandehur në gjykatë pas kallëzimit të biznesmenit të dëmtuar J. R. PLANI Sipas gjykatës, në përfundim të gjykimit ka rezultuar e provuar se të pandehurit Altin Dardha dhe Rustem Koçi kanë hyrë në marrëveshje me të pandehurin Ervin Gjana që nëpërmjet të dashurës së tij, së pandehurës Ravjola L., të fusnin biznesmenin në kurth. “Të pandehurit së bashku janë marrë vesh se si do të vepronin, në mënyrë që i dëmtuari të përfshihej natyrshëm në marrëdhënie me të pandehurën Ravjola e të arrinte deri në raporte intime me të, të filmonin e dokumentonin marrëdhëniet mes tyre, me qëllim që më pas të kishin mundësinë e kërcënimit të tij për publikimin me synim që ai të detyrohej për t’u dorëzuar para”, thuhej në vendim.
KURTHI
Referuar vendimit, plani i të rinjve u vu në jetë më 16 nëntor 2012. Pasi kishin studiuar lëvizjet e biznesmenit, tre të pandehurit qëndruan në pritje te zyra e tij në Kombinat. Të pandehurën Ravjola ata e lanë te një tunel, vend ku ishin të detyruara të kalonin të gjitha mjetet që lëviznin për te zyra e biznesmenit. Në momentin që biznesmeni ka dalë me një “BMW X5”, ata kanë lajmëruar juristen të dalë në rrugë. “Në kohën që i dëmtuari J. po afrohej me automjetin e tij, e pandehura Ravjola, ndonëse binte shi, ishte duke qëndruar në rrugë. Kur mjeti është afruar, ajo duke parë nga drejtuesi i mjetit, e ka njohur J. dhe i ka i buzëqeshur”, thuhej në vendim.
Sipas gjykatës, i pandehuri e ka ftuar në automjet ta shoqëronte. Fillimisht e pandehura nuk ka pranuar, por pas këmbënguljes së tij ka hipur në makinë. Gjatë rrugës ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit dhe e kanë lënë të ritakoheshin. Ditët në vijim, sipas gjykatës, ata janë takuar dhe në një rast biznesmeni ka kërkuar të shkonin në hotel, por Ravjola nuk ka pranuar. Nga ana tjetër, 24-vjeçarja ka mbajtur në kontakt për çdo lëvizje miqtë e saj dhe merrte udhëzime prej tyre. E pandehura duhet të shkonte në hotelin që do të zgjidhnin ata. Tri ditë më pas, me dëshirën e 24- vjeçares, biznesmeni e ka dërguar në një hotel të rastësishëm në rrugën e vjetër Tiranë- Durrës, ku kanë kryer marrëdhënie.
Në një moment Ravjola ka lajmëruar të dashurin e saj, të pandehurin Gjana, i cili ka mbërritur jashtë hotelit. Kur biznesmeni dhe ajo kanë dalë, i pandehuri Ervin Gjana i ka vënë një kaçavidë në fyt biznesmenit duke i thënë: “Çfarë do ti me këtë?”. Më pas, duke e dhunuar ai i ka thënë biznesmenit ose ta merrte për nuse Ravjolën, ose t’i jepte 100 mijë euro e ta mbyllnin muhabetin. Shantazhi i të pandehurve ka vijuar më pas përmes telefonatave dhe mesazheve, derisa biznesmeni i kallëzoi ata në polici.
/PANORAMA/





