TIRANE,31 gusht 2013 -Secili prej tyre, foli me zërin e vet, pastaj para tryezës së punës firmosën dorëheqjen. Të gjithë njëri pas tjetrit. Plot 18 këshilltarë dhe 5 drejtorët e parë. Dorëheqjen ia dorëzuan shefit, kryeministrit Berisha. Para pak ditësh u dha një urdhër, përmes shefes së Protokollit, që të lironin zyrat dhe të bënin gati dokumentacionin për pasardhësit. 

U la një afat, 31 gushti, por asnjëri prej këshilltarëve, stafi politik, nuk priti për vendimin në limitet e fundit. Ata nuk shihen më në godinën e Kryeministrisë. Ndonjëri prej këshilltarëve shihet vetëm për pak çaste, aq sa për të marrë ndonjë gjë të fundit në zyrë. Para dy ditësh u pa vetëm Ylli Asllani, këshilltari për pushtetin lokal, i cili, pasi përmbylli dy takimet e fundit, firmosi dorëheqjen. Të njëjtën gjë bëri edhe këshilltari tjetër, Njazi Kosovrasti, ndërsa të tjerët dje boshatisën zyrat dhe nuk u panë më në selinë qeveritare. Të vetmit që kanë mbetur pa u dorëhequr akoma është stafi i afërt i z.Berisha, që mësohet se për shkak të angazhimeve të kryeministrit, janë të detyruar të vazhdojnë punën deri më datë 10 qershor, ditë kur qeveria e re kalon në duart e Edi Ramës. Ikja e tyre ka lënë si të zbrazëta ambientet e brendshme të Kryeministrisë. Brenda saj ka lëvizje të pakta. Në Kryeministri shihen Bylykbashi, Lezhja, Mëhilli dhe Qesja. 

/gazeta shqiptare/