TIRANË, 30 gusht 2013 – Sikurse njoftoi dhe “Dyrrah”-u më 30 gusht 2013 ministri në ikje i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi organizoi një konferencë shtypi lidhur me konferencën ndërkombëtare që zhvilloi kryeministri në ardhje Edi Rama me ekspertë urbanistë. Olldashi tha se “gjatë këtyre ditëve ne funksionojmë edhe si qeveritarë edhe si opozitarë”. Duke qenë edhe gazetar dhe jurist (poet kur ia ka ngenë), qeveritari-opozitar ka argumentuar me stil zyrtar dhe njëkohësisht me stilema ironike se cilët ishin ekspertët që mblodhi Rama. I dalë i mundur përballë Lulzim Bashës për karriken e kryetarit të PD-së, i akuzuar ditët e fundit për mungesë transparence për koncesionet në portin e Durrësit, Olldashi është munduar të merret me një konferencë pa peshë. Olldashi është akuzuar edhe nga “të tijtë”, nga një gazetë afër Berishës, për lidhje të fshehta me Edi Ramën, duke i dorëzuar këtij të fundit shumë dokumente sekrete. Kjo ishte arsyeja pse edhe PS-ja nuk u mor shumë me Olldashin. I vetmi që i është “qepur” me bukë në trastë është deputeti Erion Braçe. Për të informuar më mirë lexuesin, “Dyrrah”-u boton të plotë fjalën e Olldashit në konferencën për shtyp dhe reagimin flakë për flakë të Braçes, që kanë të bëjnë sidomos me koncesionet në portin e Durrësit.  

Sokol Olldashi

Pak ditë më parë është zhvilluar një konferencë e të ashtuquajturve ekspertë, të cilët bënë propozimet e tyre për mënyrën se si duhet të kontrollohet dhe administrohet territori në vend. Duke qenë se gjatë këtyre ditëve ne funksionojmë edhe si qeveritarë edhe si opozitarë, mora dhe analizova ç’është kjo konferencë, që bëri z. Rama, ç’përfaqëson dhe kush ishin ekspertët që u ftuan nga z. Rama në Shqipëri për t’u treguar shqiptarëve si duhet apo si do të qeverisen në të ardhmen e afërt.

KUSH JANË

Andreas Ruby: anëtar jurie në konkursin Ndërkombëtar për Zhvillimin Urban të Tiranës, anëtar jurie në konkursin për sheshin “Skënderbej”; Martin Sobota: fitues i konkursit “Dy Kulla” në zonën verilindore të stacionit të trenit; Peter L. Ëillson: fitues i konkursit për Masterpalnin e Qendrës së qytetit të Korçës në kohën që kryetar bashkie ishte zëvendëskryeministri i ardhshëm, z. Niko Peleshi, projektues i disa objekteve në Tiranë, anëtar jurie në projektin “Sytë e Tiranës”; Xaveer De Getyer: anëtar jurie në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës jugore të Tiranës, fitues në konkursin për sheshin “Skënderbej”; Rossana Atena: anëtare jurie në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (unazën); Ëiny Maas: fitues në konkursin  e projektit arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (unazën), fitues në konkursin “Tirana një kryeqytet Evropian” për objekt polifunksional 7 kate me 1 kat shërbime dhe 3 kate parkim nëntokë, në rrugën “Murat Toptani”, fitues në konkursin “Lake Side Hall” për objekt polifunksional 3 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë, në rrugën “Sami Frashëri”, fitues në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për Bashkëjetesën Fetare”, fitues i çmimit të dytë të konkursit për sheshin “Skënderbej”; Bjarge Inkels: fitues i konkursit “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për Bashkëjetesën Fetare”; Johan Anrys: anëtar jurie në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (unazën), anëtar jurie në konkursi ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës jugore të Tiranës, anëtar jurie në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për Bashkëjetesën Fetare”, fitues i konkursit për sheshin “Skënderbej”; Valerio Olgiati: pjesëmarrës në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (unazën), anëtar jurie në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për Bashkëjetesën Fetare”; Freek Persyn: anëtar jurie në konkursin e  projektit “Sytë e Tiranës”. Pra kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur pseudoekspertësh pasi midis tyre ka vërtet emra të veçantë. Është një rreth influence që, sikurse jua tregova, shfaqet herë si konkurrent, herë si anëtar jurie dhe herë si fitues, thënë më ndryshe, është thjesht rrethi i klientëve të z. Rama si kryetar bashkie.

PROPOZIMET

Cilat ishin propozimet e ekspertëve të Ramës. Propozimi i parë: të krijohet një plan kombëtar për zhvillimin e vendit në 12 rajonet e tij. Vendi ka masterplanet e zhvillimit sektorial, për secilin drejtim, ndërkohë që ligji për Planifikimin Territorial, në nenin 89 detyron hartimin e një plani kombëtar të zhvillimit, pra ky propozim bie, sepse ligji e ka zgjidhur këtë prej të paktën dy vjetësh. Në prill 2013, në bashkëpunim me USAID-in, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, ka përfunduar draftin e termave të referencës për hartimin e planit, dokument që qeveria e ardhshme do ta gjejë mbi tryezën e punës. Propozimi i dytë ishte që Kryeministri i zgjedhur të jetë trajneri që njeh specifikat e çdo rajoni. Deri më sot z. Rama ka dëshmuar që ka një mosnjohje të thellë, por për këtë nuk e ndihmojmë dot. Propozimi i tretë: të vendoset një moratorium për bregdetin, të mos lejohet asnjë ndërtim për 6 muajt e studimit të territorit, në mënyrë që të krijohet një planifikim për bregdetin dhe kuadër i posaçëm ligjor. Praktikisht, ne jemi nën moratorium, dhe z. Rama duhet ta dijë këtë, ose të paktën ekspertet duhet t’ia kishin thënë. Ligji në fuqi, nuk lejon asnjë ndërtim, për sa kohë nuk janë miratuar planet e zhvillimit. Praktikisht edhe ky propozim është i paqenë. Propozimi katërt: duhet të këtë një fazë të shkatërrimit të ndërtesave të jashtëligjshme në bregdet. Kontrolli i territorit, Z Rama duhet ta dinte këtë se ka qenë kryetar bashkie dhe në qoftë se nuk e dinte, duhet t’ia kishin treguar ekspertët e tij, është një kompetencë që, me kërkesë edhe te z. Rama, atë kohë kryetar i bashkisë Tiranë, iu kalua, në vitin 2007, njësive vendore. Kontrolli i territorit nuk mund të ushtrohet si ekspeditë ndëshkimore, por duhet të jetë një mision i vazhdueshëm i pushtetit lokal. Propozimi i pestë: nga legalizimi i ndërtesave informale të vendoset një taksë, e cila duhet të investohet po në atë zonë për të garantuar zhvillimin. Edhe në këtë rast z. Rama duhet ta dinte ose ekspertët e tij duhet t’ia kishin thënë që tarifa e parë që paguan çdo aplikant për legalizim, është pikërisht ajo për ndikimin në infrastrukturë. Secili aplikant paguan 0.5 për qind të vlerës së ndërtimit, shumë kjo që i kalon pikërisht pushtetit vendor ku ndodhet ndërtimi informal për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj zone. Propozimi praktikisht nuk ekziston, sepse është i zgjidhur prej vitesh. Propozimi  i gjashtë: piramida të rinovohet, pjesa e jashtme të përdoret për rrëshqitje lart-poshtë. Rrëshqitjet janë gjithnjë nga lart-poshtë. Nuk ka rrëshqitje nga poshtë-lart. Për më tepër, aty rrëshqitet prej vitesh dhe nuk kishim nevojë për dhjetë ekspertë që të na e tregonin këtë. Propozimi i shtatë dhe i fundit: te vila e ish-diktatorit Enver Hoxha inovatorët të bëjnë seminare dhe studime. Filozofët të bëjnë seminar duke jetuar tre muaj brenda dhe të bëjnë propozime për të ndryshuar ligjet dhe për t’i përmirësuar ato. Së pari, duhet të imagjinojmë se ç’mund të prodhojeë mendja e Edi Ramës, nëse e mbyllim për tre muaj, sikurse propozohet, në ish-dhomën e gjumit të Enver Hoxhës. Së dyti, e kemi shumë të vështirë të identifikojmë një të dytë që do të ishte i gatshëm të izolohej tre muaj me të. Na mbetet të pyesim një herë Koçon [Kokëdhima], meqenëse është edhe si punë filozofi. Përfundimisht, e gjithë konferenca, sikurse e shihni, është një takim klientësh, është një rithirrje në punë e klientëve  të vjetër të bashkisë së z. Rama. Se çfarë i bën këta klientë Tiranës e keni parë, sesi  e kanë ndarë këto klientë Tiranën sapo jua tregova. Sesi po përgatiten ta ndajnë këta klientë Shqipërinë nesër, merreni me mend vetë.

ErionBraçe

“Unë mendoj se “ministri në detyrë” Sokol Olldashi duhej të përgjigjej për koncesionimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit; koncesionimin e terminalit të trageteve në portin e Durrësit; shpërbërjen përfundimtare të portit të Durrësit si një ndërmarrje publike dhe dorëzimin e tij në duar privatësh klientë ekonomike; rritjen e tarifave të shërbimit në portin e Durrësit; nivelin e borxheve të marra për rikonstruksionin e portit të Durrësit dhe të shpjegojë se kush do t’i paguajë këto borxhe; rritjen e tarifës së shërbimit të kolaudimit të automjeteve me të paktën 10%, pa arsye e në kushtet e një shërbimi mizerabël, por monopol”. Unë mendoj se “deputeti i rizgjedhur” Sokol Olldashi, në cilësinë e deputetit në qarkun Fier, duhej të pergjigjej për dhënien nga Qeveria ku ai është në detyrë të lejes për rishitjen e ARMO-s pa patur fare parasysh interesin publik dhe të punëtoreve; dhënien me koncesion nga Qeveria ku ai është në detyrë të 9 vendburimeve të fundit të naftës dhe gazit në këtë Qark pa marrë parasysh interesin publik dhe të punëtoreve; shpërbërjen përfundimtare të kompanisë Albpetrol si ndërmarrje prodhimi pa pasur parasysh interesin publik dhe të mbi 3500 punëtoreve atje; shitjen brenda parkut kombëtar të Divjakës prej Qeverisë të objekteve turistike, pronë e bashkisë Divjakë, ne shkelje të ligjit dhe pa pasur parasysh interesin publik”. Në vend të shpjegimeve dhe përgjigjeve për këto çështje, ministri i qeverisë së mundur në zgjedhje doli sot para medieave njësoj si komisarët e diktaturës dhe zbuloi grupin armiqësor në urbanistikë që kishte ardhur në Tiranë- thelbin e Evropës për art, kulturë e pasuri, për të vjedhur bashkë me Edi Ramën”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/