TIRANE,30 gusht 2013 – Nuk doja ta vrisja… Nuk e dija se do të vdiste…”. Kështu mësohet se ka pohuar para oficerëve të policisë 30-vjeçari Artenc Shehu, i cili dy ditë më parë qëlloi me grusht 60- vjeçarin Gëzim Karaj, duke i marrë atij edhe jetën. Burime policore bëjnë me dije se 30- vjeçari ka mohuar në mënyrë kategorike që ta ketë rrahur të moshuarin me levë, pasi në dëshminë e tij, Shehu ka pranuar se e ka goditur vetëm me një shpullë. “Nuk doja kurrë që ta vrisja 60-vjeçarin. E godita vetëm me një shpullë, por nuk e dija se do i shkaktonte vdekjen”, – është shprehur 30- vjeçari para strukturave të policisë. Sipas uniformave blu të Tiranës, Shehu ka pranuar gjatë dëshmisë së tij se konflikti me 60-vjeçarin ka ardhur pasi ky i fundit ka goditur me shpullë të dashurën e autorit. “E pashë kur goditi Amandën me shpullë dhe shkova e i thashë se nuk duhej të matej me femrat. Prandaj e godita edhe unë me shpullë, sepse doja t’i tregoja se çfarë ndodhte po të godisje një person më të dobët se vetja”, mësohet se është shprehur Artenc Shehu para grupit hetimor. Ai ka pohuar se ka qenë duke shkuar të takonte të dashurën e tij, pasi kjo e fundit e kishte marrë në telefon për t’i treguar se ishte konfliktuar me një person. Sipas Shehut, në momentin që ky është afruar pranë servisit ku punonte viktima si saldator, ka parë 60-vjeçarin që ka qëlluar të dashurën e tij, Amandën me shpullë. Sipas policisë, pas kësaj mes viktimës dhe autorit ka nisur debati me fjalë, deri në momentin që 30-vjeçari e ka qëlluar me shpullë Gëzim Karajn. Po ditën e djeshme, para oficerëve të policisë ka dëshmuar edhe bashkëshortja e viktimës, Naxhija, e cila ka rrëfyer se ka dëgjuar britma dhe ka dalë nga banesa, ku ka parë jashtë një djalë që i qëlloi me shpullë burrit të saj. Burime policore sqarojnë se bashkëshortja e Gëzim Karajt, ka pohuar se i ka kërkuar bashkëshortit të saj që të bëjë denoncim, por mësohet se 60-vjeçari nuk ka qenë dakord, pasi është shprehur se “e ka pasur ai fajin”. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së viktimës para policisë, pas sherrit me 30- vjeçarin, Gëzim Karaj ka shkuar në shtëpi bashkë me familjen e tij, ku mësohet se pas gjysmë ore ka pasur dhimbje koke dhe të vjella dhe pas kësaj janë nisur me taksi për në spital. Naxhije Karaj ka pohuar se 10 minuta pasi kishin mbërritur në spital, i ka thënë mjeku se bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë. 



DËSHMIA 
“Molla e sherrit”, në shumë raste ngelet femra, siç ka qenë edhe në ngjarjen e dy ditëve më parë në zonën pranë fushës së “Ali Demit”. Amanda H. ka qenë vajza e cila fillimisht ka nisur të debatojë me viktimën, i cili më pas edhe e ka qëlluar me shpullë. “Isha në makinë duke shkuar në punë dhe Gëzim Karaj më kishte zënë rrugën me disa dërrasa. Dola dhe i thashë që të më hapte rrugën, por ai nisi të më fyente dhe injoronte. Më tha: “Ç’je ti moj?” Pas kësaj nisëm të debatonim dhe ai u afrua dhe më qëlloi me grusht, saqë edhe kur erdhi policia e kisha gojën me gjak. Asnjë nga banorët përreth nuk ndërhyri dhe unë mora në telefon të dashurin tim, që të vinte të më ndihmonte, por jo për të arritur në këtë situatë. Ai erdhi dhe i gjuajti vetëm një shpullë. Unë ndërhyra edhe për t’i ndarë, dhe e morëm vesh më vonë se ai kishte vdekur”, – ka pohuar para policisë Amanda H.. 



Vetëm dy ditë më parë, në zonën e “Ali Demit” ka ndërruar jetë 60-vjeçari Gëzim Karaj, pasi e ka goditur me shpullë 30-vjeçari Artenc Shehu. Pas kësaj, 60-vjeçari ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve që i janë shkaktuar në vesh. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



/Gazeta Shqiptare/