TIRANË, 29 gusht 2013 – Edhe majë malit, në fshatin e VIP-it të medieve shqiptare Aleksandër Çipa (shih foton poshtë, majtas në Durrës, në trajnimin e gazetarëve lokalë, duke shpërndarë certifikatat për pjesëmarrësit) pati “shkundje” sizmike; në orët e para të mëngjesit të së enjtes u ndien lëkundje toke mbi Himarë, në Ballkonin e Bregut, sikundërse konsiderohet fshati i Pilurit të famshëm të “Bejkës së bardhë”, bardit Lefter Çipa. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar një tërmet të lehtë, me magnitudë 2.6 dhe epiqendër në thellësinë 4 km. Ngjarja tektonike ka ndodhur më 29 gusht 2013 në ora 3:44:59 (GMT) ose ora 5:44:59 (koha verore e Shqipërisë) e mëngjesit të sotëm. Sipas departamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i UPT-së dukuria sizmike është lokalizuar në një largësi 5 km në vijë ajrore në verilindje të qytetit të Himarës, në koordinatat 40.13°V, 19.78°L (shih tabelën në hartën nr. 1, pika e kuqe). Bazuar në koordinatat e dhëna nga aparatet e ndjeshme,google earth e vendos tërmetin në një zonë të banuar, në fshatin Pilur, një nga 9 fshatrat nën juridiksionin e bashkisë së Himarës (shih hartën r. 2, shigjeta e gjelbër). Ndonëse ende nuk ka përfunduar sezoni turistik në këtë zonë turizmi të VIP-ave shqiptarë, këta të fundit nuk kanë ndier asgjë, pasi tërmeti ishte i lehtë. Prandaj, me sa duket, nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.
Info
Bashkia e Himarës ka në përbërje edhe fshatrat Pilur, Kudhës, Qeparo, Qeparo-Fushë, Vuno, Iljas, Dhërmi, Gjilekë, Palasë. Në Pilur shkohet nga fshati i Kudhësit nëpërmjet rrugës malore. Piluri është quajtur ndryshe ballkoni i bregdetit / rivierës shqiptare. Ky fshat është bërë i njohur nëpërmjet grupit polifonik në festivalet folklorike të Gjirokastrës, prandaj quhet dhe fshati i këngës. Është vendi i frymëzimit të poetit të famshëm Lefter Çipa, autori i papërsëritshëm i këngëve si Bejkë e bardhë, Nga kjo baltë e kësaj toke, Naim Shqipëria etj. Njëkohësisht është i ati i Aleksandër Çipës, poet, analist i njohur, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Pamja drejt detit është mjaft tërheqëse, pasi nga ky “ballkon” dallohen lagja Kala e Himarës, brigjet e gjelbra, manastiri i Athalit, qyteti dhe liman piktoresk i Spilesë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





