DURRËS, 29 gusht 2013 – Përmbytjet në plazh detyrojnë turistët “patriotikë” në shtëpitë e banorëve të plazhit të ngarkojnë plaçkat dhe të kthehen në vendlindje. Nuk kanë mundur të gëzojnë pushimet e pas-Ramazanit qindra shqiptarë nga Kosova dhe IRJ e Maqedonisë, pasi janë gjendur në një “Bangladesh” durrsak. Është një rit që përsëritet çdo vit. Një rrebesh veror dërgon ujërat nëpër shtëpi, pasi as bashkia as institucioni i Prefektit të Qarkut nuk mundësojnë fonde për ndërtimin apo thellimin e kanaleve të ujërave të zeza dhe të bardha. Deputetët e djathtë, që nuk kanë nxjerrë ende mësim nga plebishiti i 23 qershorit, kërkojnë të bëjnë shou politike kundër qeverisë që s’e ka marrë ende pushtetin. Jo vetëm kaq, këtu kanë punë ndërmarrja e Ujërave, Ujësjellës-Kanalizimeve, KESH-i që komandohen ende nga PD-ja. Ishin pikërisht përmbytjet e dy ditëve më parë në zonën e plazhit, që detyruan të ndërpresin pushimet shqiptarët nga Kosova. Pasi kanë mbetur mes ujit dhe pa asnjë mundësi zgjidhjeje, një pjesë e pushuesve janë nisur drejt vendit te tyre. Që të nesërmen herët në mëngjes u janë drejtuar autobusëve të linjave me Kosovën. Disa pushues u zotuan se nuk do të vijnë më për turizëm “patriotik” e familjar në Durrës, vetëm në rast se marrin lajme se u rregullua rrjeti inxhinierik i plazhit. Ndërkaq më të dëmtuarit dalin ato dhjetëra familje të lagjes nr. 13 që kishin dhënë dhomat për turizëm familjar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





