29 gusht 2013 – Aktorja e njohur Drita Pelingu është ndihmuar me një fond prej 350 000 lekësh nga qeveria shqiptare, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të saj. Vendimi është marrë dje, gjatë mbledhjes së qeverisë. “Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, në zërin ‘Mallra dhe shërbime’, t’i shtohet fondi 350 000 (treqindepesëdhjetë mijë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të znj. Drita Pelingu. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, thuhet në vendimin e qeverisë shqiptare. Aktorja e njohur e skenës prej kohësh po kalon një periudhë jo të mirë shëndetësore. Drita Pelingu është një nga emrat më të rëndësishëm të teatrit dhe filmit shqip. E lindur në Vlorë më 3 dhjetor 1926, ajo ishte e vetmja vajzë që konkurroi në dhjetor të 1944-s dhe hyri në janar të 1945-s në të parën shkollë të artit dramatik shqiptar. Në karrierën e saj të gjatë, mbi gjashtë dekada, krijimtaria e saj artistike është e larmishme dhe e suksesshme dhe përfshin tri fusha. Si aktore e teatrit dhe kinematografisë ajo numëron rreth 150 role. Kontributi i saj në artin shqiptar është dhe si pedagoge e regjisore. Ndër rolet e saj më të spikatura mund të përmendim Luiza Miller “Intrigë dhe dashuri” e Shilerit, Gonerila “Mbreti Lir”, Gertruda “Hamleti”, Missis Ford “Gratë gazmore të Uindsorit”, nga Shekspiri, Diana “Qeni i kopshtarit” etj. Pelingu është vlerësuar me shumë çmime gjatë karrierës së saj. Ajo mban titullin “Artiste e merituar”. Në vitin 1996 është fituese e çmimit kombëtar “Ismail Qemali”, ndërsa më 1997-n bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive, duke e vlerësuar për arritjet e karrierës dhe kontributin, e ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë. Ky botim është në ruajtje të përhershme në Bibliotekën e Kongresit Amerikan Washington DC. Në vitin 2000 është vlerësuar nga Presidenti i Republikës edhe me titullin e lartë “Mjeshtre e madhe”, “Çmimin e karrierës” etj.

/shqip/