TIRANE,29 gusht 2013 – Kryeministri i zgjedhur Edi Rama nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social Facebook, ka bërë publik emrin e një këshilltari të ri të kabinetit të tij, ndërsa shprehet se pranë tij do ketë njerëz me cilësi të spikatura. 

“Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t'ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes – Shkëlzen Maliqi”, shkruan Rama. 
Sipas tij, Maliqi i është bashkuar skuadrës së Rilindjes me qëllim që rajoni të jetë pjesë e BE, sa më shpejt. 
“Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar. Marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t'i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, shkruan ai më tej.


Maliqi kritik i Rames e Metes
Shkëlzen Maliqi është analist politik, kritik arti, por edhe filozof. Ai ka lindur në vitin 1947 dhe jeton në Prishtinë. Maliqi ka drejtuar një sërë organizatash, mes të cilave edhe Institutin e Studimeve Sociale, “Gani Bobi”. 

Shkelzen Maliqi aktualisht është këshilltar polik i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Shkëlzen Maliqi ka qenë disa herë kritik me lëvizjet politike të shefit të tij të ardhshëm Edi Rama. Në një seri shkrimesh në gazetën “Express” të Kosovës, Maliqi qorton disa nga veprimet e Ramës, në raport me koalicionet politike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Shkëlzen Maliqi shkruan se “strategjia e defaktorizimit të LSI-së dhe të Ilir Metës dështoi”. Ndërsa referuar zgjedhjeve vendore të vitit 2001, Maliqi shprehet: “Kësaj here Rama mori edhe një leksion ndëshkues për kokëfortësi dhe arrogancë, sepse sërish nënçmoi faktorin LSI”. 


/BalkanWeb/