TIRANË, 28 gusht 2013 – Turistët kërkojnë të shijojnë atë që është shqiptare. Ish-përgjegjësi i departamentit të gjermanishtes në Universitetin publik të Tiranës, Martin Mato, ka më shumë se dy dhjetëvjeçarë që bën rolin e udhërrëfyesit turistik për grupe vizitorësh, kryesisht nga Evropa Qendrore. Nga përvoja që ka nga kontaktet me të huajt që vijnë në Shqipëri, Matoja thotë se ata kërkojnë, në radhë të parë, të shikojnë dhe të shijojnë atë që është shqiptare dhe jo atë që është pjesë e jetës së tyre të përditshme, citon gazetari i njohur Arben Muka për seksionin shqip të radios gjermane “DW”.
Produkte vendase
“Kur qëllon që futen në lokalet shqiptare dhe u ofrohen pije të markave të huaja, ata këmbëngulin se duan produktet vendase. Nuk është se kërkojnë luks, pranojnë me kënaqësi një lokal komune a fshati, por dukshëm dhe në mënyrë konkrete duan pastërti. Na ka qëlluar që ambienti brenda ka qenë i pastër, por aty afër, pak metra më tutje, ka pasur grumbullime mbeturinash e plehrash që ua kanë “prerë” në moment oreksin dhe dëshirën për të qëndruar. Nëse një turist do ta përsërisë vizitën në Shqipëri, ai ndesh po të njëjtat drejtime rrugësh, po të njëjtat pamje dhe rrethana gjeografike. Duhet të shfrytëzohen dhe rrugë rurale që japin variacion në agjendat ditore të vizitorëve të huaj. Propozimet për të huajt janë vetëm muze historik, arkeologjik apo etnografik. Nuk ka kategori të tjera muzesh që do ta përmbushnin më shumë preferenca. Në këtë drejtim duhet të lëvizim sa nuk është vonë”.
Udhërrëfyesit dhe “yjet” e hoteleve
Matoja shikon si problematik ekipet e udhërrëfyesve turistikë që përfshihen në shoqërinë e grupeve të vizitorëve. Jo gjithmonë, sipas tij, ka njerëz të përshtatshëm dhe që bëjnë punë cilësore. “Flitet shpesh dhe kërkohet që të bëhet licencimi i tyre. Më parë, sipas mendimit tim, duhet bërë kualifikimi, pra përcaktimi i specialitetit që bën më mirë ai apo ajo, dhe më pas procesi i licencimit. Haset si problem dhe standardizimin e hoteleve. ‘Yjet’ në hotelet shqiptare janë vendosur kryesisht në mënyrë subjektive, pa një vendim serioz ose kompetent që të përcaktojë standardin konkret hotelerik. Krijohen dhe situata qesharake në akomodim, të cilat në fletëpalosje ose në internet janë kategorizuar ndryshe nga çfarë provon realisht turisti. Ata skandalizohen p.sh. kur nuk plotësohen as kushtet minimale të sigurisë, kur qëllon që mungon dhe një dalje emergjente nga ambientet në rast zjarri etj. Autoritetet, agjencitë e specializuara duhet të jenë rigoroze në këtë aspekt”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





