DURRËS, 28 gusht 2013 – Zgjedhjet e reja në degën vendore të PD-së pas humbjes në 23 qershor po shoqërohen më debate nën zë. Por është dikush që nuk rezervohet:“Mos ka një bashkëjetesë politike në qytetin e Durrësit?”, kjo pyetje retorike në TV e drejtorit të përgjithshëm të Postës Shqiptare, sh.a. Arqile Gorea, ka shkaktuar mjaft polemika në qarqet “blu”. Veterani i së djathtës në Durrës ka vazhduar edhe më tej me akuzën: “Mos ka një lloj dakortësie që ti (PS) bën të tuat e unë (PD) të miat? TV Adria.net ka bërë edhe një kronikë për bashkëjetesën politike. Nuk ishte rastësi që flamujt ishin një i PD, një i PS… edhe figurat Edi Rama, Sali Berisha”.

Tallja

Për Gorenë, “në qoftë se kryhet një fushatë elektorale, fushata elektorale kryhet për të ngritur adrenalinën politike dhe për të ndarë kampet. Si u krye kjo fushatë elektorale, pse mungoi debati?” Dhe vetë përgjigjet pa dorashka, aq i traumatizuar është nga humbja e PD-së në Shqipëri funksionari i lartë i administratës qendrore: “Ndoshta nuk kishin çfarë t’i thoshin njëri-tjetrit këta njerëz që bashkëpunonin. Atëherë mos kishte një bashkëpunim në heshtje dhe një tallje me interesat e qytetarëve?”. Gorea është i pamëshirshëm, duke e konsideruar vaktësinë e fushatës elektorale në Durrës sitallje me angazhimet që kishin marrë të dy palët përpara qytetarëve të Durrësit. Gjithsesi kjo ka një kuptim”.

Minimale demokratike

Gorea thotë se “në qytetin e Durrësit, për sa i përket adrenalinës politike, për sa i përket nivelit të ballafaqimit të të mirave dhe të të këqijave, PD-ja ka njohur edhe në raste të tjera rënie edhe në 1997”, por për demokratin e ditëve të para as atëherë “nuk ka qenë kurrë një situatë e tillë, një ambient i tillë” si në ditët tona, pasi “Durrësi arriti në minimalen e tij demokratike”. Është interesant se Gorea bën një pohim, që nuk guxon tjetërkush në PD ta artikulojë: “Pse humbi PD-ja besimin te qytetarët, te votuesit e vet kur Durrësi ka qenë bastion permanent i demokratëve. Nuk ka pasur të ngritura e të ulura, por permanent”.

Kandidatura të dobëta

Ish-kryebashikaku i Durrësit pas zgjedhjeve të vitit 1996 tregohet i ashpër kur thotë: “Edhe kur e ka humbur kryetarin e bashkisë, që ka ardhur si rezultat i kandidaturave të dobëta (është fjala për Avni Hoxhën, Armand Telitin, Ferdinand Xhaferajn, por edhe Arqile Gorea humbi për mandatin e dytë përballë dr. Mir Hotit të PS-së), PD-ja ka fituar në mazhorancë me PS. Pse nuk po ndodh kjo sot?”.

Interesat e këshilltarëve blu

Gorea është dhe përfaqësues i PD-së në këshillin bashkiak të Durrësit, prandaj nuk përton të bëjë dhe një “skanim” kritik të kolegëve të tij, duke i akuzuar për komoditet, duke shtruar sërish pyetje patetike të hidhura: “Kush janë ato pista që i bashkojnë këta me njëri-tjetrin ata të PD-së me të PS-së? Interesat e qytetarëve apo interesat e tyre? Atëherë a ka betejë politike në këshillin bashkiak ku përfaqësohen interesat e qytetarëve? Kush i përfaqëson në këshillin bashkiak?”. Gorea sulmon të vetët duke stigmatizuar listën e këshilltarëve “militantë janë me pakicë, kualitetet akoma dhe më pak”. Për militantin Gorea këta këshilltarë nuk dihet  nga erdhën dhe ku shkojnë”. Ata nuk zhvillojnë “beteja politike në këshillin bashkiak”. Gorea është nostalgjik: “Dikur u përballëm me kioskat për të bërë lulishte. Tani zihen lulishtet dhe bëhen kioska, bëhen pallate”. Ai akuzon këshilltarët se “nuk e ngrenë zërin për këtë” dhe se nuk ka protesta”. Këtë poozicion Gorea e mban në rrafsh politik: “Flas për politikën në radhë të parë. Pastaj qytetarët demoralizohen. Nuk kemi ç’i bëjmë, na ka zënë këtu. Dhe kjo sjell ato të tjerat dhe që vinë zgjedhjet lokale, zgjedhjet politike dhe anasjelltas”. Ish-qytetari nr. 1 i Durrësit është tejet i demoralizuar: “Qyteti pajtohet i lodhur me situatën që përjeton”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/