DURRËS, 27 gusht 2013 – Për uniformat blu të Durrësit 26 gushti 2013 ka qenë nën shenjën e dhunës në familje. Nëse një të kërkuar prej dy muajsh e gjetën të vetëflijuar në morgun e Tiranës për rrahjen e bashkëshortes, tani organet e rendit po kërkojnë të kapin një të ri që vë dorë mbi të ëmën. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit thotë se më 26 gusht 2013, filloi procedimi penal e po punohet për kapjen e shtetasit S. K., 21 vjeç, nga Durrësi, i cili dyshohet se ka ushtruar dhune fizike e psikologjike ndaj nënës së tij 60-vjeçare. Ndërkohë po më 26 gusht 2013 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për një 14-vjeçare, nga Shijaku, e cila deklaron se e keqtrajton i vëllai, B. T., 21 vjeç. Nga ana tjetër vazhdon seriali i dhunës ndaj grave të martuara. Një 21-vjeçare, nga Shijaku ka denoncuar B. M., 29 vjeç, ndaj të cilit policia filloi edhe procedimi penal në gjendje të lirë. Pas saj kanë bërë kallëzim në polici një 39-vjeçare, nga Durrësi, ndaj të shoqit, S. M., 46 vjeç dhe një 39-vjeçare, nga Durrësi, ndaj burrit të saj J. M., 36 vjeç. Edhe për këto raste u plotësuan kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





