Ornela Vorpsi ekspozon në Paris, përkrah emrave të njohur të artit bashkëkohor.
Artistja shqiptare prezanton një imazh fotografish që të bëjnë të shikosh përtej imazheve të ofruara
TIRANE, 28 qershor 2013 – Një femër nudo mbart ende të fshehta. Në format e trupave të fotografuar në ambiente ku dominon e kuqja, apo gjysmerrësira, Ornela Vorpsi të bën të mendosh për atë çfarë ndodhet përtej. Të pozosh nudo nuk do të thotë se i ke treguar të gjitha.
Një trup fsheh gjithnjë diçka brenda tij. Ky kërkim i bukur i Ornela Vorpsit e ka bërë kritikun Gioanni Romano të ndalet gjatë në fotografitë e saj. Kërkimi përtej së dukshmes është për të një formë për të larguar harresën dhe për t’u dhënë rëndësi gjërave të vërteta në jetën e grave në të përditshmet e tyre. Fotografitë e artistes shqiptare janë një shuplakë e pamëshirshme për realitetet brutale, me të cilat përballet shpesh qenia femërore.
Pjesa më e madhe e femrave të fotografuara prej saj janë vetëm, në një hapësirë boshe, krejt të zhveshura. Modelet që ajo zgjedh nuk janë profesioniste, por thjesht mikesha të saj, të cilat vijnë në këto foto bashkë me përvojat e tyre personale. Vajzat kthehen në protagonistet kryesore, në hapësirat ku qëndrojnë lakuriq, duke i lënë publikun t’i vëzhgojnë me një sy krejt të lirë. Jetët që ato kanë lënë jashtë kësaj hapësire ku po pozojnë, rivijnë e shfaqen përmes dritës në forma të ndryshme, duke u reflektuar e duke i bërë shikuesit të kenë një mori mendimesh mbi to. Këto foto provokojnë mendime të ndryshme mbi misterin erotik të femrës, por dhe mbi forcën e realitetit, që reflektohet në trup dhe kur ai kërkon të ndahet prej tij.
Fotografia është një tjetër mënyrë të shprehuri për Ornela Vorpsin pas letërsisë. Imazhet e ofruara prej saj duken sikur sjellin historinë e një libri që sapo e ke lexuar. Ajo është e ndjeshme si një poezi në të gjitha punët e saj. Këto ditë, artistja ka ekspozuar në galerinë “Taïss” në Paris bashkë me emra të njohur të artit bashkëkohor si Ali Kazma (Turqi), Dana Hoey (SHBA), Eva Magyarosi (Hungari), Frank Michel Pancin (Francë), Klavdij Sluban (Slloveni) dhe Marie Hendriks (Irlanda). Ekspozita e quajtur “Vera dhe ëndrra të tjera” sjell një mori fotografish që kërkojnë të shohësh përtej së dukshmes. Artistët pjesëmarrës të tërheqin në botën e tyre intime, shpeshherë të mjegulluar nga fantazia, mes ëndrrave plot ankthe, pushtetit dhe zhdukjes, një bote njerëzish që lënë gjurmë të padukshme, dashuri fatale etj.
Të tilla janë dhe fotot e artistes shqiptare, një kërkim i gjatë për gjërat që ende nuk i kemi prekur dhe i dimë që janë diku. Ornela Vorpsi ka qenë gjithnjë e tërhequr nga e vërteta. Krijimtaria e saj e deritanishme është një rrugëtim për të mësuar të vërtetat që janë lënë pas në kohë. Ashtu si fotografitë nudo, që kërkojnë të zbulojnë përtej së pamundurës, dhe në letërsi, vajza që e la Shqipërinë për të ndjekur Akademinë e Arteve në Brera, e më pas për t’u ndalur përfundimisht në Paris është gjithnjë në kërkim të pasazheve të mbetura të fshehura në kujtesën tonë. Subjektet që ajo sjell në libra i ngjasojnë disi jetës së saj. Një vajze të rritur në diktaturë, me një baba të dënuar politik, që nuk mund ta heqë kurrë prej trupit të saj të shkuarën.
Pavarësisht ngjyrës së kuqe që ajo u jep nudove, ato nuk mund të fshehin dot trishtimin. “Kësulëkuqja e vogël nuk ishte e kuqe. Ndërsa ujku, ai po, ishte i kuq. Quhej Enver Hoxha, si diktatori komunist shqiptar. Ai nuk do t’i përpinte vajzat e vogla. Jo nuk ua kishte nevojën, për aq sa ato nuk kishin as pite, as poçe me gjalpë për t’ia çuar gjyshes së tyre. Kjo ishte mbretëria e Enver Hoxhës: mungesë në gjithçka. Dhe burg për ata që guxuan të ankohen”, shkruan Ornela në romanin “Vendi ku nuk vdes kurrë” i botuar në Francë. Një rrëfim për mungesën të cilën shkrimtarja vijon ta kërkojë përmes personazheve që ka zgjedhur. Për të Shqipëria mbetet ashtu siç shprehet edhe vetë “toka e kujtimeve fëmijërore”.
“Nëse kam emigruar, këtë gjë nuk e kam bërë për arsye ekonomike. Familja ime i përkiste ‘pjesës së gabuar’ dhe komunizmi i asaj kohe nuk na linte hapësirë”, thotë ajo. E kaluara është aq e pranishme në punët e Ornela Vorpsit, sa ajo ka zgjedhur të shkruajë italisht dhe jo në shqip librat e saj, si një mënyrë “për të larguar dhembjen” gjatë të shkruarit. “Besoj se po të shkruaja ato që kam shkruar në gjuhën shqipe, e gjitha do ishte shumë më e dhimbshme dhe thuajse e pamundur. Sepse gjuha shqipe për mua është gjuha që mbart fëmijërinë. Unë u rrita në atë vend dhe në njëfarë mënyre jam e konstruktuar në atë vend, jam thellësisht e tërësisht shqiptare”, thotë Vorpsi.
Ka diçka që e bën letërsinë e Vorpsit, një letërsi që të përfshin, diçka që duket që vjen thellë brenda autores, dhe që shndërrohet në një fuqi e cila depërton tek çdo lexues.
/Shqip/





