Michele Smargiassi publikon e komenton sot në La Repubblica dy foto, në një distancë për mbi 20 vjet.
Njeriu që bllokoi tanket në Tiananmen dhe vajza që sfidon hidrantët në Turqi. Fotografia e djaloshit të paarmatosur përballë tankeve në sheshin Tiananmen, në Kinë, tashmë një prej ikonave të shekullit të ikur, nuk u pat ndaluar gjithmonë në Kinë.
Së pari, qeveria kineze nuk mundi ta injorojë atë, ndaj u përpoq të fitojë prej saj, për të treguar se Ushtria e Kuqe ishte aq pak agresive dhe shtypëse saqë një ushtar i saj ndaloi që të mos shtypte një student të pafuqishëm. Por nuk funksionoi. Natyrisht.
Sepse imazhet, madje edhe ato të pabotuara, kanë një histori dhe një mitologji, përmes të cilës ata gjejnë rrugën e tyre. Dhe kjo foto ishte mishërimi i ri i mitit të Davidit kundër Goliathit. Si kjo që na vjen nga Turqia:
Vajza në të kuqe, presioni fuqishëm i ujit na pengon të shohim fytyrën e saj, e palëvizshme si një statujë nën hidrantët e shtypjes brutal të policisë së Erdoganit. Fotografitë nuk tregojnë gjithë të vërtetën, dhe ikonat edhe më pak.
Ne nuk e dimë se sa kohë zgjati rezistenca trime e rebeles ndaj cunamit të policisë. Ndoshta vetëm disa sekonda. Por nuk ka rëndësi: fotografia është si një statujë prej bronzi, jeton përgjithmonë. Heroina pa fytyrë, njësoj si djali kinez nga pas, tani ka fytyrat e të gjithëve.
Xhaketa e saj e kuqe, njësoj si tesha e bardhë e djalit kinez, është flamuri i të gjithëve. Çanta e saj e shpinës, bishti i flokëve prej vajzukeje, krahët e saj të shtrirë në qëndrimin krenar të rezistencës pasive, janë një koncentrat i pafajësisë.
Lëvizja për të mbrojtur pemët ka ikonën e vet të pakundërshtueshme, njësoj si mitet. Duke parë dy fotot aq të ndryshme e aq të ngjashme, mund të themi se ende fiton Davidi kundër Goliathit.





