DURRES, 25 prill 2013– Një familje e re, një emër i ri. Prindër me shtetësi të ndryshme ndajnë qëndrime të ndryshme ndaj motivimit të brendshëm për birësim ndaj fëmijëve të braktisur dhe dëshirës për t’u shkëputur ose jo nga historia e fëmijës që birësojnë. Mënyra e të menduarit ndryshon katërcipërisht dhe bashkë me të në një të ardhme jo të largët dhe reagimi i fëmijës mbi origjinën e vet. Prindërit shqiptarë me të siguruar të drejtën për birësim, që në vendimet gjyqësore reflektojnë ndryshimin e emrave të fëmijëve të birësuar, si për të krijuar lidhjen me ta që prej këtu dhe për të shuar me një të rënë të lapsit periudhën e deriatëhershme jetësore të fëmijës. Synojnë t’i mohojnë të birësuarit të drejtën për ta njohur historinë e jetës së tij edhe pas arritjes së moshës madhore. Të huajt, jo. Rastet e trajtuara në Gjykatën e Durrësit i dëshmojnë më së miri këto ndryshime në vendimet e tyre.

Birësimi i fëmijëve përfshin një procedurë të plotë administrative për t’u mbyllur me një procedurë dhe vendim gjyqësor që i jep të drejtën prindërve a prindit kërkues për birësim. Vendimet e shfletuara dëshmojnë mbi birësimet dhe ndryshimet me të cilat përballen në jetën e tyre të re, gjatë këtij procesi fëmijët e braktisur nga prindërit biologjikë. Pothuajse të gjithë prindërit birësues vendas kanë pëlqyer të shkëpusin lidhjet e fëmijëve të birësuar me të kaluarën e tyre, duke u vendosur emra të rinj. Fëmijët marrin jo vetëm amësinë, atësinë dhe mbiemrin e prindërve birësues, por edhe emra të tjerë, të ndryshëm nga ata me të cilët janë thirrur deri në atë çast nga personeli i qendrave rezidenciale. Etjeni bëhet Altin; Klevi bëhet Elvis dhe Ina bëhet Giorgia. Në rastin e birësimit ndërvendas, ky ndryshim nuk vihet re.

Prindërit me shtetësi të huaj duket se përpos mendjes së hapur ndaj birësimit të cilin nuk e shohin si fakt që mund të sjellë pasoja te fëmija në një të ardhme, kuptojnë që ky ndryshim, sado në moshë të hershme, mund të sjellë vështirësi në reagim nga ana e fëmijës së pamësuar me emrin e ri. Devisi mbetet Devis. Në ndryshim nga shqiptarët, prindërit adoptivë me shtetësi të huaj nuk shfaqin as parapëlqim për racën apo gjendjen shëndetësore të fëmijës, duke u mjaftuar me shprehjen e dëshirës për të pasur mundësi të ofrojnë një mjedis të ngrohtë familjar dhe në jo pak raste ata kanë dhe fëmijë të tjerë. Ky fakt e kapërcen interesin e ngushtë personal për të mbuluar nevojën për një fëmijë në çiftet që nuk kanë pasur mundësi të kenë pasardhësin e tyre biologjik, apo dhe të nevojës së shfaqur së fundmi për të mos qenë vetëm, kryesisht e shfaqur te prindërit e vetëm (të divorcuar apo të ve) me fëmijë biologjikë të rritur tashmë dhe që ndjekin rrugën e tyre të jetës. Në të gjitha rastet, i rëndësishëm mbetet interesi më i lartë i fëmijës së braktisur dhe vlen për t’u theksuar se vetëm dy vitet e fundit ka nisur të argumentohet më shpesh në vendimet gjyqësore plotësimi i kushteve të interesit më të lartë të fëmijës.