BOSTON, 17 prill 2013– Bombat e shpërthyera në finishin e maratonës së Bostonit, ishin dy tenxhere me presion, të mbushura me eksploziv, gozhda, hekura dhe copa metali, të projektuara për të plagosur një numër njerëzish sa më të madh të mundshëm. Gjendeshin brenda dy çantave udhëtimi të mbushura me nailon, ku nuk mund të imagjinohej se ç'tmerr përbanin brenda. E gjithë kjo është zbuluar nga FBI, që ka shfaqur edhe copat e asaj që kanë mbetur nga dy bombat me sahat. Ende nuk ka siguri sesi janë aktivizuar. Hipotezat flasin për "timer" të telekomanduar, qoftë edhe përmes telefonit celular. Imazhet e nxjerra nga FBI shfaqin një çantë të grisur dhe ajo që mbetet nga një tenxhere presioni që ka shpërthyer. Megjithëse është praktikisht e shkatërruar, numri i serisë mund të lexohet dhe ky është një element që mund të rezultojë i vlefshëm në hetime. Ndërkohë që një e dhënë tjetër vjen nga fakti që teknika e përdorur për përgatitjet e bombave, mësohet në fushat e stërvitjes në Belucistan, vend mes Pakistanit e Afghanistanit, sipas asaj që kanë shpjeguar ekspertët e terrorizmit. E megjithatë, përgjegjësit apo qoftë edhe ndonjë i dyshuar, ende nuk është gjetur. Bomba e parë shpërthyer në "Boylson Street", në afërsi të finishit të maratonës, ku gjendeshin autoritetet, mes të cilëve edhe guvernatori i Massachusetts, Deval Patrick. Ndërsa shpërthimi i dytë erdhi 12 sekonda më pas, rreth 70 metra larg, jashtë restorantit "Forum". Nga 176 të plagosurit që janë numëruar, 14 është dashur të pësojnë prerje të gjymtyrëve dhe 17 janë ende në gjendje të rëndë.
Ç’pista po ndiqen?
Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë të dyshuar konkret, hetuesit janë duke ndjekur kryesisht dy pista: aë të grupimit islamik dhe atë të rrezikut të brendshëm, të lidhur me ekstremizmin e djathtë dhe grupet neonaziste. “Dimë vetëm që bëhet fjalë për terrorizëm”, është shprehur presidenti Obama. Nga ana tjetër, FBI ka bërë thirrje për bashkëpunim: kushdo që zotëron video, apo foto të vlefshme për hetimet, t'ua dërgojë sa më shpejt. "Dikush mund ta di, ose ka ndonjë sinjalizim, prandaj u bëjmë thirrje të na ndihmojnë", kanë deklaruar autoritetet që po merren me çështjen. Marrjet në pyetje të dëshimtarëve po vazhdojnë, mirëpo asgjë s'ka dalë në dritë deri tani, pasi gjithçka duket shumë e vështirë për t'u zbardhur.
Imazhet e bombave
Ndërkaq, kanali "7News" ka përcjellë imazhet e kapura nga një spektator dhe që tregojnë bombën e dytë përpara shpërthimit. Fillimisht vërehet një çantë e dyshimtë që nuk tërheq vëmendjen e askujt mbi trotuar përgjatë itenerarit të maratonës, afër një kutie postare. Në imazhin e dytë, po në të njëjtën pikë pas shpërthimit, nuk ka më asnjë gjurmë të çantës. Gjithsesi nuk ka prova të sigurta që bëhet fjalë efektivisht për shpërthimin e bombës së dytë, megjithatë këto imazhe i janë dorëzuar FBI-së që i ka bërë pjesë të hetimeve.





