IRAK, 17 prill 2013– Autoritetet irakiane kanë ndëshkuar me vdekje 21 persona, pasi ishin akuzuar për terrorizëm, ka raportuar Ministria e Drejtësisë gjatë së martës.
Sipas saj, të ekzekutuarit ishin përfshirë në pengmarrje, vrasje, shpërthime bombash dhe vrasjen e zyrtarëve të sigurisë dhe civilëve.
Disa prej tyre i kanë kryer sulmet me anë të shpërthimit të bombave, vënien e eksplozivëve në makina apo motoçikleta.
“Amnesty International” deklaroi se dënimi me vdekje ishte pezulluar pas invazionit të 2003, por u rikthye me shpejtësi nga qeveria e parë irakiane.
Ekzekutimet u rikthyen në vitin 2005, e prej atëherë të paktën 447 të burgosur janë varur, përfshi këtu Saddam Hussein, disa prej aleatëve të tij kryesorë dhe disa anëtarë të akuzuar si pjesë e grupeve të armatosura.
Qindra të burgosur janë ende duke pritur radhën për t’u ekzekutuar. Vendi, ku vetëm gjatë 2012-s janë ekzekutuar 129 të burgosur, është tashmë një nga liderët botërorë sa i përket numrit të të ekzekutuarve, sipas “Amnesty International”.





