TIRANE, 16 prill 2013 – Denar Biba, nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme një ditë pas votimit në Kuvend të ndryshimeve në KQZ. Biba është përfaqësues i opozitës në këtë komision.

“Nuk mund të tallemi me popullin duke i servirur një KQZ si teatër”, thotë Biba në deklaratën e tij për shtyp ku shpreh arsyet e dorëheqjes. Biba thotë se Kuvendi i ka trajtuar ata si anëtarë të rëndomtë partiakë.

Biba thekson se dorëheqja e tij është si një nxitje për reflektim për secilin. Megjithatë dorëheqja e tij në këtë moment është shoqëruar me pikëpyetje.

Biba është një njeri i afërt i Edi Ramës dhe kjo ka shtuar spekulimet se ky mund të jetë një kompensim për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Nga selia rozë ka pasur heshtje në lidhje me këtë lajm. Ndërkohë LSI ka mbetur pa një anëtar në KQZ pas largimit të Ilirjan Muhos.