DURRËS, 16 prill 2013– Këshilli i Qarkut të Durrësit dhe organizata humanitare ndërkombëtare Terre des Hommes, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila parashikon organizimin e disa seminareve trajnuese me stafin e njësive të mbrojtjes së fëmijëve pranë Këshillit të Qarkut, bashkive e komunave. Për Këshillin e Qarkut të Durrësit nënshkroi kryetari Armand Teliti, ndërsa për Terre des Hommes nënshkroi përfaqësuesja e misionit Sendrine Constant.
Armand Teliti, kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit, me këtë rast u shpreh se kjo marrëveshje është në detyrimin tonë institucional, por edhe njerëzor, për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e tyre. Gjithashtu ai theksoi se shoqëria jonë dhe institucionet shtetërore kanë bërë progres të dukshëm në realizimin e të drejtave të fëmijëve. Që prej vitit 2000, nuk kanë munguar iniciativat ligjore në këtë fushë, ku ndër më kryesoret është pë tu përmendur decentralizimi i shërbimeve sociale, mbrojtja e fëmijëve kundër shfrytëzimit, dhe së fundmi edhe kuadri i posaçëm ligjor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Sot Durrësi ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar këtë qëllim, infrastrukturë kjo që gjithmonë ka nevojë të përsoset.
Në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, miratuar në vitin 2010, Këshilli i Qarkut të Durrësit ka ngritur Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, ashtu siç dhe bashkitë e komunat, pjesë e qarkut tonë, kanë njësitë e tyre për mbrotjen e fëmijëve.Teliti vijoi duke theksuar se kuadri ligjor është i plotë, institucionet ekzistojnë dhe ne duhet të punojmë të rrisim efektivitetin e asaj çfarë secili prej nesh bën. Me këtë rast, Këshilli i Qarkut do të nënshkruajë një marrëveshje me Terre des Hommes, një marrëveshje kjo që do të na ndihmojë në këtë drejtim.
Duke e mbyllur fjalën e tij, kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit Armand Teliti siguroi se Këshilli i Qarkut të Durrësit do të vazhdojë të tregohet i gatshëm për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për t’iu asistuar në punën për të drejtat e fëmijëve.
Aktualisht, më shumë se 10 000persona, pjesa më e madhe fëmijë, përfitojnë nga projektet humanitare të Terre des Hommes, pjesë e të cilëve tashmë është dhe qarku i Durrësit.
/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/





