TIRANE, 3 prill 2013 – Lëvizja Socialiste për Integrim ka pranuar ftesën e PS për koalicion parazgjedhor. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë së kësaj force politike. Në këtë mënyrë LSI do të tërheqë ministrat e saj nga ekzekutivi.

Ky lajm u konfirmua nga vetë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së partisë deklaroi se forca politike që ai drejton i thotë “po” bashkëpunimit parazgjedhor me partinë më të madhe opozitare në vend, duke theksuar se del nga mazhoranca e Kryeministrit Sali Berisha, me të cilën bashkëqeverisën për 4 vite.

“Vlerësoj bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, kryeministrin Berisha për bashkëpunimin gjatë 4 viteve me koalicionin qeverisës, i cili garantoi jo vetëm stabilitet, por edhe disa reforma të rëndësishme në funksion të zhvillimit dhe integrimit. Kryesia e LSI-së vlerësoi se ka përmbushur me korrektesë të gjitha pikat e marrëveshjes së nënshkruar 4 vjet më parë me PD-në, dhe sot e konsideron këtë marrëveshje të përfunduar. LSI-ja duke vlerësuar domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik dhe pushtetesh që do të forconte stabilitetin në vend si dhe do të përmbushte më mirë nevojën e domosdoshme të vendit ka vendosur të pranoi ftesën e kryesisë së Partisë Socialiste për koalicion parazgjedhor me të”,- deklaroi Meta.

Ai theksoi se pranimi i ftesës synon bashkëpunim për një fitore të së majtës në 23 qershor, si e vetmja rrugë për të sjellë ekuilibër politik dhe ndarjen e pushteteve si dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit nëpërmjet votimit të 3 ligjeve.

Gjatë fjalës së mbajtur në hapje të mbledhjes së Kryesisë, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi se mbledhja bëhet për të vlerësuar situatën politike dhe zhvillimet në vend.

Ai tha se do të bëhet një vlerësim i situatës reale të strukturave në të gjitha qarqet, për t’u përgatitur për zgjedhje.

Një ditë më parë PS-ja i bëri ftesë zyrtare LSI-së që t’i bashkohet së majtës me qëllim fitoren në 23 qershor. Rama argumentoi se kjo ftesë bëhet për interesa kombëtare të vendit.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/