VATIKAN, 3 prill 2013 – «Të jetojmë me më shumë besim realitetet e përditshme, t’i përballojmë ato me kurajo. Flijimi i Krishtit është forca jonë»: Papa Françesku foli sot përpara rreth 50 mijë pelegrinëve në sheshin “Shën Pjetër” në dëgjimoren e përgjithshme të së mërkurës. Një besim jo «me ujë trëndafili», por i fortë dhe rigoroz. Sidomos ai i grave, «dëshmitaret e para të Ringjalljes».

Papa Françesku ngriti «rolin parësor dhe themelor të grave, pasi ato e kanë pritur mesazhin me besim dhe e kanë transmetuar. Dhe kjo është gjë e bukur: evangjelistët vetëm kanë rrëfyer çfarë gratë kanë parë. Ky është misioni i grave: t’u japin dëshmi bijve dhe nipërve të tyre që Jezusi është ringjallur», tha Papa.

Më pas ai bëri thirrjen: «Nëna dhe gra, përpara me këtë dëshmi! Të hapim dyert e Zotit me vështrim të thjeshtë dhe të thellë dashurie. Për Zotin ka rëndësi zemra, sa jemi të hapur ndaj tij, nëse jemi si fëmijët, që i besojmë atij», ka theksuar Papa.