LEZHE, 3 prill 2013  Kryeprokurori Adriatik Llalla është njohur nga afër me gjendjen e kriminalitetit në Mat dhe Lezhë, duke u përqendruar kryesisht te zhvillimet e fundit në këto zona. 

Gjatë prezantimit të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, Abaz Muça, i cili ka qenë i komanduar në këtë rreth dhe drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Edmond Koloshi, i cili ka ushtruar detyrën në prokurorinë e Durrësit, z. Llalla kërkoi forcimin e politikës penale për të pasur suksese në luftën kundër krimit. 

“Prokurorët, në radhë të parë, duhet të dëshmojnë integritet të lartë moral dhe profesional, si edhe duhet të fokusohen më shumë në mbledhjen e provave dhe fakteve ndaj elementëve kriminalë. Vetëm në këtë mënyrë do të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional, si edhe do të arrihet të dënohen autorët e veprave penale. Pra, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi, më së pari, e prokurorëve. Prokuroria duhet të dëshmojë korrektesë maksimale. Dhe ky mesazh duhet lexuar qartë”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.