TIRANE, 3 prill 2013– Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u shtuan sot masat e sigurisë për shkak të zhvillimit të seancës në ngarkim të Dritan Dajtit, i akuzuar për masakrën e 7 gushtit të vitit 2009. Përpara nisjes së seancës, në gjykatë u vunë re forcat speciale dhe qen aktieksploziv. 

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, refuzoi mbrojtjen e Dajtit dhe nuk u paraqit në seancë. Nga ana tjetër, i pandehuri akuzoi gjykatën për zvarritjen e procesit. 

“Po bëheni pengesë, zvarrisni procesin. Drejtësia po dështon kërkoj të gjykohem. Avokatët i keni caktuar ju, jo unë.”- u shpreh Dajti. 

Seanca e kaluar gjyqësore nuk u zhvillua, pasi mbrojtësi i të pandehurit Saimir Vishaj nuk u paraqit. Për këtë arsye, Gjykata e Krimeve të Rënda, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e krijuar në procesin ndaj Dritan Dajtit, vendosi të caktojë si avokatë, Maksim Haxhiajn dhe Fatmir Brakën, përkatësisht kryetarin dhe zv/kryetarin e Dhomës së Avokatisë. 

Gjyqi ndaj autorit të masakrës së 7 gushtit 2009, prej më shumë se një viti e gjysmë është futur në kolaps, pasi avokatët e caktuar nga gjykata refuzojnë mbrojtjen. Procesi ndaj Dajtit është kthyer në gjyqet me rekordin më të lartë të shtyrjeve. Dajti akuzohet për ekzekutimin e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale pranë pistës "Iliria" në Durrës, katër vite më parë. Oficerët tentuan t'i vinin prangat Dritan Dajtit, pas shtatë vitesh arrati, por ai i qëlloi për vdekje njërin pas tjetrit në një hark kohor prej 3-4 minutash. 

 

Çështja e Dritan Dajtit, gjykata kërkon ndërhyrjen e Nishanit

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit thërret në Apel Presidentin e Republikës. Gjykata e Krimeve të Rënda është dorëzuar përballë mungesës së avokatëve duke kërkuar nga Bujar Nishani në cilësinë e kryetarit të KLD-së të ndërhyjë për të zgjedhur këtë ngërç që vazhdon prej 4 vjetësh.

Ndërsa Sokol Koçiu nga byroja për mbrojtjen e të burgosurve shprehet se ky gjyq duhet të ribëhet nga fillimi, pasi janë shkelur të drejtat e Dritan Dajtit.