LIBRAZHD, 3 prill 2013– Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në segmentin rrugor Librazhd-Elbasan në vendin e quajtur kthesa e Murrashit ku një automjet i bardhë që udhëtonte në drejtim të Elbasanit ka dalë nga rruga e ka përfunduar në lumë.

Më pas automjeti është rrëmbyer nga rrjedha e lumit per 3-4 kilometra e për tu gjetur disa minuta më vonë në vendin e quajtur Mirakë.

Forca të shumta të policisë dhe të zjarrëfikëses mbërritën menjëherë në vendngjarje, fillimisht në vendin nga ku doli automjeti dhe më pas në vendin ku ai u gjend por të dhënat në lidhje me mjetin janë tepër të pakta, madje nuk dihet as targa e automjetit e as emri i drejtuesit apo i pasagjerëve.

Përsa i përket numrit të personave që udhëtonin me mjetin në fjalë janë kontradiktore pasi fillimish nga punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale që ndodheshin në vendin  e ngjarjes u tha fillimisht se ishin 4 persona që udhetonin në mjet. Sipas tyre sapo ka rënë makina në ujë 2 persona janë parë në siperfaqen e ujit për disa momente e për tu zhdukur më pas sëbashku me automjetin.

Ndërsa një shofer furgoni që është shkëmbyer me mjetin në fjalë ka theksuar se kanë qenë vetëm dy persona mbi makinë. Tashmë kur kanë kaluar disa orë nga aksidenti ende nuk ka të dhëna për numrin e saktë të personave që udhëtonin në mjetin e aksidentuar madje ende nuk është identifikuar as targa e makinës që do të ndihmonte më pas në identifikimin të paktën të drejtuesit të saj.

Në ndihmë të policisë së qarkut Elbasan janë thirrur edhe polumbarët të cilët do të zhyten në ujërat e lumit Shkumbin për të gjetur trupat e personave që mund të kenë qënë në automjet.

Ndërkohë automjeti gjendet ne nje zone te lumit ku thellesia eshte e madhe. Rrjedha e lumit Shkumbin eshte shume e forte dhe eshte pothuajse e pamundur nderhyrja per te nxjerre automjetin nga lumi.