EUROPE, 2 prill 2013 – Shkalla e papunësisë në vendet e eurozonës ka arritur nivel rekord, prej 12%. Njoftimi është bërë sot nga Zyra e Bashkimit Evropian për Statistikat, Eurostat, e cila ka bërë me dije se shkalla e papunësisë në muajin shkurt ishte pothuajse e njëjtë me atë në janar, e cila ishte rritur në 12% prej 11.9%.
Në muajin shkurt, të papunëve në 17 vendet e BE-së, që e përdorin monedhën euro, u janë bashkuar edhe 33 mijë vetë. Në këtë mënyrë numri i të papunëve arriti në 19 milionë. Më të prekurat janë Spanja dhe Greqia, ku shkalla e papunësisë është mbi 26%.
Ekonomia më e madhe e eurozonës, Gjermania, ka paraqitur shkallën më të ulët të papunësisë prej 5.4%. Në të 27 vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ato që nuk e përdorin euron, shkalla e papunësisë për muajin shkurt është rritur në 10.9%, pasi 76 mijë njerëz mbetën pa punë. Në BE afro 26.3 milionë njerëz mbesin pa punë.





