TIRANE, 2 prill 2013 – Kryeministri Berisha ka komentuar sot gjatë prezantimit të programit të zhvillimit për Shqipërinë rurale, largimin e LSI-së nga koalicioni qeverisës. Sipas tij nuk ka pasur ndonjë krisje me Ilir Metën ndërsa shtoi se një koalicion parazgjedhor mes LSI e PD do të ishte i panatyrshëm.
“Martesa dhe divorcet janë bërë ligjësi, po të flasim në gjuhë politike natyrisht ka qenë një koalicion legjitim. Koalicioni parazgjedhor në rregullin dhe moralin e tij është koalicion brenda spektrit. Që nga vitit 1992 kur isha president dhe gjer në vitin 2009 unë gjithnjë kam ecur me koalicione, është në frymën time. Gjer sot nuk ka ikur asnjë forcë sepse Berisha nuk i krijoi hapësirën dhe mundësinë e bashkëpunimit, kjo është e vërteta. Koalicioni ka funksionuar jo pa probleme se të tillë s’ka. Nuk mund të kishte koalicion parazgjedhor. Sovrani i dha koalicionit të drejtuar nga PD 70 mandate, për mua detyrë kryesore e politikanit të lexojë me gjakftohtësi vendimet e sovranit, në këto rrethana u bë një koalicion”, tha Berisha.
Ndërkohë lidhur me problematikat që mund të lindin nëse LSI largohet nga qeverisja kreu i ekzekutivit deklaroi se edhe me largimin e Metës, qeverisja e tij do vazhdojë deri në zgjedhje, pasi këtë gjë e garanton Kushtetuta.
“Vendi do ketë qeveri në përputhje të plotë me Kushtetutën e tij. Kushtetuta nuk lejon dhe nuk parashikon qeveri teknike, me të drejtën e mocionit dhe parashikime të tjera Kushtetuta e Shqipërisë përcakton vetëm qeveri mazhorance, ky është aspekti më modern i kësaj Kushtetute. Ajo parashikon që ata që duan të zëvendësojnë kryeministrin duhet të kenë një votë më shumë. Zoti Rama pasi dështoi të marrë pushtetin me dhunë më 21 janar, bëri përpjekje nga më absurdet, veçanërisht premtimi i tij se Berisha s’do jetë kryeministër i 100-vjetorit të Pavarësisë mbeti në arkivat e ligësisë së tij. Zotimi i tij se me këtë qeveri nuk shkoj në zgjedhje do të arkivohet sërish si ligësi e tij. Kjo qeveri dhe ky kryeministër do i japin vendit zgjedhjet më të mira. Do vazhdojmë qeverisjen dhe forcën e plotë deri ditën e mandatit të ardhshëm. Puna e madhe që është bërë gjatë këtyre viteve, transformimet e këtij vendi kanë faktuar se në Shqipëri shumicë dërrmuese janë të djathtët shqiptarë, populli shqiptar, 57% e tij e ka shpallur veten si të djathtë, ndjehem i privilegjuar për ti udhëhequr ata drejt mandatit të ri”,- tha Berisha.





