TIRANE, 2 prill 2013– Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion parlamentar japonez, të kryesuar nga Zv/ministri për Punët e Jashtme të Japonisë, zoti Minoru Kiuchi.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vizitë si një kontribut shumë të rëndësishëm në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Në njoftimin e publikuar në faqen e kryeministrisë thuhet se Zv/ministri për Punët e Jashtme të Japonisë, zoti Minoru Kiuchi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Japonisë z. Shinzo Abe, të ministrit të Jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të lartë japonezë.

Në takim zoti Kiuchi vlerësoi zhvillimet e jashtëzakonshme që ka shënuar Shqipëria gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se kjo është evidente për çdo vizitor apo zyrtar të huaj që vjen në Shqipëri.

Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të intensifikuar dhe thelluar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Në këtë aspekt, sektori i turizmit, ai minerar, i infrastrukturave apo i ndërtimit të hidrocentraleve e bujqësisë u vlerësuan si sektorë potencialë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Zv/ministri Kiuchi theksoi se është vërejtur një rritje e theksuar e interesit të investitorëve japonezë për Shqipërinë dhe Kryeministri Berisha e siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë fuqishëm çdo lloj projekti të investitorëve japonezë, duke krijuar të gjithë lehtësirat e nevojshme.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin e Lindjes së Largët, në takim u theksua se Koreja e Veriut dhe lëvizjet e fundit që drejtuesit e këtij vendi kanë ndërmarrë përbëjnë një rrezik serioz për paqen në këtë rajon, por edhe më gjerë. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht shqetësimin e qeverisë japoneze dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar për kërcënimin ndaj paqes e sigurisë së rajonit të Lindjes së Largët dhe vendeve të tij, si pasojë e politikave që lidershipi i këtij vendi po ndjek.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/